13 artistë në ekspozitën tradicionale “Ditët e Fotografisë” në Tiranë

11 Tetor, 2021 - 1:31 pm

Ekspozita tradicionale ‘Ditët e Fotografisë’ këtë vit do ta ndërrojë vendndodhjen, dhe nga Pogradeci do të ‘shpërngulet’ në Tiranë ku do të jetë e ftuar speciale e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘Dea Open Air’ i cili sivjet organizon edicionin e tij tetë.

Ekspozita e sivjetme e ‘Ditët e Fotografisë’ është tematike me titullin ‘Etno 2021’ dhe për kurator ka Ardian Fezollarin i cili ka përzgjedhë 13 artistë, të cilët përmes fotografisë shpalosin vlerat etnografike të mbarë trevave shqiptare nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga trojet e Arbëreshëve të Italisë.

Fotografët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Allmi Suka, Ahmet Axhushi, Ardian Fezollari, Edison Miraka, Elvi Kote, Evis Imeraj, Fahredin Spahija, Florim Ibrahimaj, Orjeta Myzeqari, Mario Caliva, Salih Jonuzi, Saimir Ahmeti, Shkelzen Rexha. Ekspozita ‘Etno 2021’ do të përcillet me një katalog ekskluziv dhe do të hapet me 15 tetor, në orën 18.00, në ambientet përpara Akademisë së Arteve, në Tiranë./ KultPlus.com

Të ngjajshme