2.500 vizitorë për ekspozitën e Sisjel Xhafës që nxiti shumë reagime

31 Gusht, 2018 - 1:00 pm

Ekspozita personale e artistit Sislej Xhafa, “Të dua pa e ditur”, del të jetë më e vizituara së paku në dy vjetët e fundit.

Ani pse Galeria Kombëtare e Kosovës nuk shet bileta, sipas numërimit që u është bërë atyre që në dy muajt e fundit – sa ishte e hapur ekspozita e Xhafës – që kanë frekuentuar sallat e institucionit, është 2609. Sipas menaxhmentit të GKK-së, në krahasim me ekspozitat paraprake, “Të dua pa e ditur” – e cila nxiti edhe protesta – është trefish më e vizituar.

Për këtë radhiten disa arsye: nami botëror që gëzon artisti Xhafa, audienca që kohëve të fundit është rritur në ekspozitat e artit konceptual e provokimi me tetë lopë në një stallë të improvizuar ku zinte vend vepra “Dheu i thurur”.

“Mund të them se në dy vjetët e fundit është ekspozita më e vizituar. Është sa trefishi i ndonjë ekspozite tjetër. Mendoj se ka ndikuar emri i artistit, por edhe natyra e ekspozitës. Projekti me lopët ka bërë shumë bujë”, ka thënë drejtoresha e GKK-së, Arta Agani për Koha Ditore./ KultPlus.com

Të ngjajshme