69 vjet nga vdekja e artistes Frida Kahlo, historia e së cilës është motiv për të shndërruar dhimbjen në forcë

13 Korrik, 2023 - 1:08 pm

E njohur për autoportretet e saj të punuara me përplot pasion dhe përkushtim, sot shënon 69 vjetorin e vdekjes, artistja meksikane Frida Kahlo.

‘Ngërrqet’ e kaluara në jetë nganjëherë nuk të ndalin hovin, por përkundrazi të japin forcë. Si dëshmi e gjallë e  një realiteti të tillë, është historia e Frida Kahlos, storia e së cilës është motiv për të shndërruar dhimbjen në forcë.

Kahlo, nuk hoqi dorë as nga aksidenti i rëndë që përjetoi në një moshë të re dhe as nga mbi 30 operacionet e nënshtruara për shërim, përkundrazi, ajo e gjeti kurën e saj në pikturim, duke mësuar vetën të krijonte artin e saj ‘vecues’, me anë të së cilave i dha vetës emrin ‘artiste’.

Me trupin e shtrirë në një shtrat brenda katër mureve, pa lëvizur e pa dalë fare jashtë, Kahlo, më shumë se gjysmën e krijimtarisë së saj e realizoi aty, në atë cep.

Duke u mbështetur në përvojat personale të kaluara në jetë, veprat e Kahlo-s karakterizohen nga portretizime të dhimbjes.

Nga 143 pikturat e realizuara, 55 prej tyre janë autoportrete me anë të së cilave përfshihet një mesazh i përtejmë, ‘plagët fizike dhe psikologjike’ të saj.

Artistja e atëhershme dhe ikona e botës së sotme, Frida Kahlo, pretendonte që kishte lindur në vitin 1910, përgjatë revolucionit meksikan, në mënyrë që të lidhej drejtpërdrejtë me Meksikën moderne.

Një detaj i tillë prezanton më së miri këtë personalitet të veçantë, një vajzë dhe më vonë një grua krenare për ‘Meksikën’ e saj dhe traditën kulturore të vendosur kundër amerikanizmit mbretërues.

Artistja meksikane, Kahlo ishte e martuar me muralistin meksikan Diego Rivera, me të cilin u nda pa kaluar shumë kohë. Një vit pas divorcit, ajo realizoi një pikturë me anë të se cilës përshkroi atë gjendjen e rënduar emocionale që kishte.

Në vijim, në shenjë përkujtimi për punën, veprimtarinë, dhe artin krijues së Kahlos, për përvjetorin e 69 te vdekjes së saj, risjellim edhe njëherë pikturën e saj të titulluar ‘Autoportreti me gjerdan me gjemba zog kolibri’.

Në këtë pikturë, Kahlo është e pozicionuar përballë gjetheve, majmunave  dhe midis një pantere që e përndjek atë. Kahlo, bashkë me ish-burrin e saj, Riverën, kishin mbajtur shumë majmunë si kafshë shtëpiake, duke bërë ata si zëvendësues për fëmijët që çifti nuk arritën t’i kenë gjatë marrëdhënies së tyre bashkëshortore.

Përkundër qëndrimit stoik të saj, me qafën e rrethuar prej një gjerdani të ndërtuar nga gjembat, nga qafa e saj prapë po rridhte gjak. Gjak ky, që përbënë një mix plagësh trupore dhe shpirtërore.

Kjo qetësi e përcjellë përmes pikturës, është tipike për karakterin e Kahlos, e cila me qetësi kalonte çdo pengesë në jetën e saj.

“Autoportreti me gjerdan me gjemba”, mbetet ndër pikturat kulminante të Kahlos, të cilat i rezistuan kohës.

Ndër pikturat e tjera të Kahlos të cilat janë të stërnjohura edhe në kohën ‘sot’, janë, ‘Autoportreti në kufirin midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara’, ‘Gjyshërit e mi, prindërit e mi dhe unë’, ‘Kolona e thyer’ dhe ‘Autobusi’.

Edhe pse Kahlo ka jetuar në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, ajo qëndron e në fron si një ikonë e kohës tonë moderne. / KultPlus.com

Të ngjajshme