“80 vite nga pushtimi fashist”, paraqiten foto të Mujo Ulqinakut

10 Prill, 2019 - 9:00 am

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 80-vjetorin e rënies së dëshmorëve gjatë qëndresës së armatosur kundër agresionit fashist. Në aktivitetin “80 vite nga pushtimi fashist italian”, u prezantuan për herë të parë për publikun disa fotografi të Mujo (Cakuli) Ulqinakut të mundësuara nga pasardhësit e tij.

Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Ngjarja historike u parashtrua nga ligjëruesit në aktivitet historiani Moikom Zeqo dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, por edhe përmes interpretimeve dhe referimeve të gjimnazistëve, si dhe nëpërmjet ilustrimeve të fotografive të dëshmorëve të rënë.

Koçi tha në fjalën e tij se ideatori kryesor i pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ishte konti Galeazzo Çiano, dhëndëri i Benito Musolinit, të cilit i lindi ideja për një “zgjidhje tërësore për Shqipërinë”.

“Pushtimi fashist italian më 7 prill 1939, ishte një ndër aktet e para agresive të fashizmit në Europë. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani etj”, tha ai.


Moikom Zeqo bëri një panoramë të zgjeruar se si erdhi pushtimi fashist në Shqipëri dhe hapat e ndërmarra nga populli shqiptar në luftën kundër fashistëve italianë, duke vlerësuar këtu edhe kontributin e Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku.

Olsa Ulqinaku, stërmbesa e Mujo (Cakuli) Ulqinakut, në fjalën e saj përshëndetëse midis të tjerash tha se: “Dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare janë jo vetëm simbol i pashlyeshëm i rezistencës kombëtare dhe luftës për liri, por edhe frymëzim për ne brezat e sotëm”. /j.p/ KultPlus.com

Të ngjajshme