Adrian Çene, artisti shqiptar i femrave nudo (FOTO)

8 Gusht, 2017 - 8:20 pm

Nudo vijon të jetë një ndër format më të aplikuara nga artistët. Misteri i një trupi të zhveshur vazhdon të hulumtohet nga piktorët të cilët kërkojnë të gjejnë pikërisht në shenjat e trupit, zonat e mendjes. Në këto ditë të nxehta vere, piktori Adrian Çene ka hedhur në telajo një cikël të ri nudosh. Janë femra që ashtu të shkujdesura i bashkohen një loje me dallgët e detit, apo të ulura në një kolltuk kërkojnë të gjejnë përgjigje për shqetësimet e jetës.

Një nudo nuk mund të jetë e bukur nëse nuk ka brenda të vërtetën e jetës. Dhe Çene di të shohë përtej sensualitetit, duke i bërë këto telajo të duken të bukura. Nuk është hera e parë që ai zgjedh të prezantojë nudo. Në ekspozitën që hapi pak kohë më parë “Manipulation” në Galerinë Kombëtare të Arteve mes 70 punimeve mund të dalloje lehtë dhe 5 tablo nudo. Prej 20 vitesh Çene është një artist që vepron në skenën e artit në vend.

Ai është një prej artistëve modernë shqiptarë, i cili jeton dhe krijon në mjedisin artistik të Tiranës. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. “E rëndësishme është se kërkimet e tij nuk kanë reshtur, madje përmes tyre zbulohen kalime të guximshme, që për një piktor janë shpeshherë ballë rreziqeve të paparashikueshme, të cilat marrin emrin e thjeshtë ‘Imitim’”, thotë Suzana Varvarica për punët e tij.

Çene u dallua në rreth 20 vite të rrugëtimit të tij të parë, për një pikturë ku dominoi ekspresiviteti figurativ i sendeve të abstraguara, kontrasti në marrëdhëniet e ngjyrave dhe përdorimi i një linje të plotë vizatuese. Ai krijoi një gjuhë vizuale përmes ngjyrave, të cilat janë pushtueset e para të telajos së tij. Ai pikturoi me gjallëri dhe promotori i tij emocional krijoi sipërfaqe me ndjesi të forta foviste, ku detaji natyror abstragohej dhe shfaqej prej ushtrimit të një peneli me presion ekspresiv.

Të ngjajshme