Afresku i kishës së “Shën Mërisë” në Berat drejt restaurimit

16 Janar, 2019 - 9:30 am

Afresku i kishës së “Shën Mërisë” në Sinjë, Berat do t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve pas shqyrtimit dhe diskutimit në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës miratoi projektin e konservimit dhe restaurimit të afreskut në pikturën murale të Kishës së Shën Mërisë, Sinjë.

Projekti u hartua nga specialistët e sektorit të artit pranë DRKK-Berat dhe ndërhyrja konsiston në konsolidimin e shtresës së suvasë me murin, konsolidimi i bordurave me llaç, konsolidimin e shtresës së pelikulit me shtresën përgatitore dhe pastrimi i depozitimeve të blozave dhe kripërave që ndodhen në afresk.

Kisha e ”Shën Mërisë” mendohet të jetë ndërtuar në shekullin XI-XII, kur pati një lulëzim të madh të arkitekturës së kishave–shpellë, periudhë e cila shquhet për realizimin e kishave dhe ambienteve përreth në disa raste me volume të vogla, duke shfrytëzuar me mjeshtëri gjithë hapësirën e mundshme që jepte shpella natyrore në atë pjesë të formacionit shkëmbor.

Arkitektura e kishës nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje. Hapësira e brendshme e kishës është e vogël dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor. Mendohet të jetë një kishë heremitësh./ Ballkanweb/ KultPlus.com

Të ngjajshme