Albana Ejupi prezantohet me ekspozitë personale në platformën e njohur ndërkombëtare në Vjenë (FOTO)

27 Shtator, 2018 - 1:36 pm

Gili Hoxhaj

Parallel Vienna është një platformë internacionale e artit në përgjithësi, duke përfshirë prezantimin e artistëve te rijnë deri tek ata me famë botërore. Në kuadër të emrave të shumtë, atje është prezantuar edhe piktorja nga Kosova, Albana Ejupi.

Punimet e saj kanë zënë vend në galerinë e njohur vjeneze të quajtur “Lukas Feichtner Gallery” . Duke qenë se artistja Ejupi ka shpalosur artin e saj edhe në vende të tjera të botës, veçmas me ekspozita kolektive, kjo është hera e parë që u prezantua me ekspozitë personale në Vjenë të Austrisë. Ajo ka treguar për KultPlus eksperiencën që po përjeton atje, ku arti i saj po vlerësohet nga koleksionistët të artit dhe nga vizitorët.

“Deri tani kam marr pjesë me dy ekspozita kolektive ne Vjene, dhe tanimë me ekspozitën e parë personale ne Parallel Vienna e cila po vazhdon te jete një eksperience e mahnitshme, duke filluar nga bisedat e shumta dhe komentet e shumta te mijëra vizitorëve. Po ashtu kam rastin te bisedoj me shume koleksionit te artit të vendeve të ndryshme te botës, të cilët janë shumë të interesuar për blerje”, u shpreh Ejupi për KultPlus.

Në “Parallel Vienna”, Ejupi është prezantuar me shumicën e pikturave të shpalosura më parë në Prishtinë, në ekspozitën e parë personale të titulluar “Shpalosje aktesh dhe sinteza siluetash”, që u hapë vitin e kaluar në Galerinë e Ministrisë Qafa.

“Unë kam nderin dhe fatin si artiste nga Kosova te jem pjese e listës së emrave te artistëve nga vendet e ndryshe të botës, veçmas nga një galeri me një eksperience punë më shumë se 20 vjeçare”, ka thënë tutje Ejupi.

Ajo ka treguar për KultPlus se prezantimi i punës së saj në këtë platformë, në kryeqytetin vjenez tashmë i ka hapur dyert edhe të depërtimit në vende tw tjera jashtë Evropës.

Platforma “Parallel Vienna” do jetë e hapur deri të dielën ku vizitorët do të kenë mundësinë e ndjenjës se llojllojshmërisë së artit në përgjithësi./ KultPlus.com

Të ngjajshme