Albert Heta ftohet të marrë pjesë në Kongresin e Shkollave të Larta Kombëtare të Artit

6 Shtator, 2018 - 7:40 pm

Albert Heta, Drejtor i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK është ftuar nga ANdÉA – Association nationale de écoles supérieures d’art (Asociacioni Kombëtar i Shkollave të Larta të Artit) për të marrë pjesë në Kongresin e 45-të Shkollave të Larta Kombëtare të Artit që po mbahet në Rennes të Francës, përcjellë KultPlus.

Kongresi veror ANdÉA është moment me rëndësi për 45 Shkollat e larta franceze të artit. Takimi po ashtu është moment për hapjen dhe ngritjen e çështjeve politike në raport me sistemin arsimor dhe artin. Shkollat Franceze të Artit janë bërë institucione autonome para rreth 10 viteve.

Në këtë situatë të re, disa çështje politike janë me rëndësi në këtë zhvillim, si marrëdhëniet mes qeverive lokale dhe shtetit. Qeveritë lokale të qyteteve dhe rajoneve janë përfshirë në financimin e 35 nga 45 shkollave të artit që funksionojnë në Francë. Shteti po ashtu pjesërisht është përfshirë në ifinancimin e institucioneve të reja arsimore të artit përmes Ministrisë së Kulturës së Francës.

Janë shumë çështje që tani janë duke u bërë të rëndësishme në raportin në mes institucioneve lokale dhe politikave kombëtare. Një nga pyetjet e hapura është kualiteti dhe natyra e kontratave të punës për profesorët lokal, dhe të tjerët, në shkollat që udhëhiqen nga shteti. Në këtë kontekst të ri, të institucioneve autonome dhe lidhjet mes shkëmbimeve lokale dhe ndërkombëtare, pyetjet që Kongresi do t’i shtrojë për diskutim janë: Ku jemi ne me të vërtetë në këto marrëdhënie ndërkombëtare? Cilat politika dhe cilat marrëdhënie me botën ne i dëshirojmë të ndodhin me “veprimet tona ndërkombëtare”, ku rëndësia e këtyre raporteve është duke u rritë në një shpejtësi të lartë? Çfarë bashkëpunimi është i nevojshëm për implementim dhe themelimin e platformave bashkëpunuese jashtë vendit? Me çfarë qëllime? A kërkojmë mundësi të reja për studentët? A dëshirojmë të ngrisim numrin e nxënësve ndërkombëtarë në shkollat tona? A dëshirojmë të shkëmbejmë kompetencë, ndër të tjera të zhvillojmë edukim për art aty ku mungon edukimi në botë? A është e nevojshme të krijohet një kampus jashtë vendit?

Ftesa dhe pjesëmarrja e Albert Hetës në Kongresin e ANdÉA lidhet drejtpërdrejt me pozitën e rëndësishme ndërkombëtare të punës së Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe rritjes së ndikimit ndërkombëtar të platformës artistike dhe arsimore Shkolla Verore si Shkollë dhe relacionin e programit me zhvillimet në Prishtinë dhe më gjerë në rajon, si dhe pyetjet fundamentale se si të konstruktohen marrëdhëniet me vendet e jashtme dhe përmes çfarë kanaleve të reja kjo bëhet e mundur sot, thuhet në komunikatë. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme