Artisti kosovar në Kanada i cili gërsheton dy kultura

23 Korrik, 2019 - 4:23 pm

Për 20 vjet, një artist kosovar nga Dartmouth ia ka dedikuar jetën e tij ndërtimit të lidhjeve në mes të dy kulturave. Në maj të vitit 1999, në kohën e krizës së refugjatëve kosovarë, Kanada kishte pranuar më shumë se 5 mijë refugjatë.

Zeqirja Rexhepi dhe familja e tij kanë qenë në mesin e atyre që kanë shkuar në Kanada. Ata ishin marrë nga një kamp refugjatësh në Maqedoni për në Nova Scotia nga ushtria kanadeze.

Që atëherë muralet e Rexhepit, pikturat dhe afresket kanë kontribuar në skenën artistike jo vetëm në Kanada, por edhe në shumë shtete evropiane.

“Është e gjitha për të krijuar lidhje dhe për të prezantuar kulturën kosovare tek të tjerët”, ka thënë Rexhepi gjersa ecën nëpër shtëpinë e tij, e cila është një ekspozitë me veprat e tij me të mira.

Garazhi është studioja e tij. Muret në dhomën e ndejës, dhoma të gjumit dhe korridore janë të mbushura me artin e tij simbolik e shumëngjyrësh.

“Aty, ju mund të shikoni njerëzit, mirëpo nuk e dini se kush janë ata”, thotë Rexhepi. “Ju vetëm e dini se ata janë në të njëjtën situatë”.

Rexhepi ka qëndruar në një kamp refugjatësh me gruan e tij dhe gjashtë fëmijët për një muaj, pasi që ishin larguar nga shtëpia e tyre në Kosovë.

“Unë kam fjetur për tri net jashtë pasi që nuk kishte vend brenda në tendë”, thotë ai. “Mirëpo, ky nuk ishte një problem pasi që së paku mund të shikoja që familja ime ishte e sigurt”.

Ai filloi që të pikturonte posa mbërriti në “14 Wing Greenwood” në bazën e forcave kanadeze.

“Kam bërë 120 piktura në muajin tim të parë”, ka thënë Rexhepi. “Të gjithë që punonin aty kërkuan nga një pikturë… Ata sollën fotografi të fëmijëve të tyre ‘a mund të vizatoni fëmijët e mi? Unë ju thosha: ‘Sigurisht, nuk ka problem. Ju mund ta merrni atë nesër’”.

Ata të cilët e kishin nën përkujdesje ia siguruan atij mjetet e nevojshme, përfshirë pëlhurën për të pikturuar dhe ngjyrat, por po ashtu e paguan atë edhe për punën e tij.

Rexhepi kishte ardhur në Kanada si një artist me eksperiencë. Ai kishte studiuar në shkollën e artit në Kosovë dhe Maqedoni në vitet 1974 dhe 1979 dhe ka studiuar për dizajnim të rrobave dhe qëndisje në Zvicër.

Ai ishte lejuar qe të pikturonte disa murale në Nova Scotia, përfshirë muralin me anije të mëdha, që ishte një peizazh në qendër të Halifax që nga viti 2000 deri në 2017, një seri prej tetë muraleve në Alderney Landing, që reflektonin mbi historinë e Dartmouth dhe një mural në Windsor, që tregon historinë e dëbimit të banorëve autoktone të Acadias. Ai gjithashtu ka bërë murale dhe piktura edhe në vende të tjera në Kanada.

Gjatë 20 vjetëve në Kanada, Rexhepi ka pasur dhjetëra ekspozita personale dhe kolektive. E para ishte në bazën ushtarake, në Greenwood, dy muaj pasi që ai kishte ardhur aty.

Në Evropë, Rexhepi ka bërë dhjetëra murale dhe afreske në kisha dhe xhami në Kosovë, Zvicër, Gjermani, Maqedoni, Shqipëri dhe Turqi.

“Më e madhja është 835 metra katrorë në një kishë katolike në Kosovë”, ka thënë ai. “Shumica e punës artistike nuk ishte religjioze. Është për historinë e shqiptarëve”.

Rexhepi reflekton në kulturën e shqiptare të Kosovës dhe eksperiencën e tij gjatë viteve të luftës së vitit 1999. Për të arti është më së shumti i lidhur me identitetin, dhe njerëzorja është elementi i tij kryesor në shumicën e pikturave të tij. Ai po ashtu pikturon kafshë, instrumente muzikore dhe i përdor ato si metafora për të treguar histori për karakterin e njerëzve dhe eksperiencat.

Derisa drejtohet nga një pikturë me një fytyrë gruaje, ai tregon sesi ajo e heq maskën dhe fillon të flasë.

“10 mijë gra janë dhunuar”, thotë ai. “Dikush duhet që të flasë se çfarë ka ndodhur. Një (grua shqiptare nga Kosova), e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka treguar historinë e saj dhe çfarë ka ndodhur me të kur ajo ishte 16-vjeçare”.

Rexhepi e konsideron veten e tij ambasador të njerëzve të tij.

‘’Gjithçka që unë bëj është për të bërë që njerëzit e mi të ndihen krenar me mua”, thotë ai. “Unë jam shqiptar krenar nga Kosova”.

Pasi që ishte kthyer në Kosovë, nëntë muaj pasi që kishte ardhur në Kanada ai kishte parë që shtëpia e tij ishte djegur. Ai e kishte kthyer atë në një vepër arti, duke pikturuar në gërmadhat e shtëpisë së tij me mjete që ka gjetur në mes të rrënojave.

Gjatë luftës njerëzit duan vetëm që të mbijetojnë, thotë Rexhepi.

Njerëzit “ikin në mes të vdekjes dhe jetës”, thotë ai. Kur ajo kohë erdhi, unë harrova se çfarë kisha ndërtuar… lashë diplomat e mia, instrumentet e mia, lash kulturën time”.

Kosovarët të cilët ishin vendosur në Kanada është dashur që të fillojnë rindërtimin e jetës së tyre nga fillimi, thotë Rexhepi. Ata po ashtu është dashur që të shpëtojnë reputacionin e tyre, shton ai.

“Unë gjithmonë them kur ju pranoni njerëz nga një krizë, mos u shqetësoni për ata. Ata do të punojnë në çdo gjë. Ata do të vlerësojnë vendin, që do t’i mirëpresë”.

Mirëpo ende refugjatët dhe emigrantët duhet që të përballen me sfidën e paragjykimeve që ekzistojnë në shoqëritë perëndimore në lidhje me etnicitetin e tyre. Shqiptarët për shembull janë paragjykuar në filmin “Taken”, ku luan Liam Neeson, si një grup mafiozësh, thotë ai.

“Ju kam thënë fëmijëve të mi: ‘Ju duhet që të punoni shumë dhe t’i tregoni shoqërisë se kush jeni’”, thotë Rexhepi.

“Ju duhet që t’u tregoni njerëzve që jeni të sjellshëm dhe kontribuoni shumë në shtet. Mirëpo mbani kulturën tuaj. Kur njerëzit lënë vendin e tyre ata humbasin shumicën e gjërave që lidhen me rrënjët e tyre”, thotë ai.

“Djali im më i ri është shumë patriot, ai dëshiron që të kthehet në Kosovë”, thotë ai. “Mirëpo, ai tani ka një familje të madhe këtu”. Një nga vajzat e tij jeton në Zvicër, ndërsa pjesa tjetër e fëmijëve është edukuar dhe ka punë të mirë dhe familje të mira në Kanada.

“Rrënjë të reja tani janë rritur këtu”, thotë ai. “Nipërit dhe mbesat e mia do te kenë me shumë rrënjë dhe lidhje këtu sesa në Kosovë”/ The Chronicle Herald.

Të ngjajshme