Albulena Bilalli pjesë e Konferencës shkencore të grafikës në Kroaci, synon ta sjellë në Prishtinë

14 Shtator, 2018 - 11:06 pm

Nga 12 – 15 shtator në Senj të Kroacisë është duke u mbajtur Konferenca e 22-të Ndërkombëtare në Grafikë, Dizajn dhe Komunikime grafike “Blazh Baromiq”, e pjesë e saj është edhe Albulena Bilalli.

Bilalli, që është kandidatja e vetme shqiptare e doktoraturës në Fakultetin e Grafikës në Universitetin e Zagrebit, ishte ftuar që të merrte pjesë si bashkautore e një hulumtimi shkencor.

Ajo thotë se ka prezantuar hulumtimin e saj bërë për ndikimin e presionit në cilësinë e ngjyrës në shtypin digjital.

Në prezantimin e saj ajo gjithashtu ka kërkuar që kjo konferencë të bartet edhe në Prishtinë, dhe të ketë një bashkëpunim edhe me Universitetin e Prishtinës.

Për Koha.net ajo ka deklaruar se do të përpiqet që një konferencë e tillë të organizohet edhe në Prishtinë.

“Jam e nderuar që jam në mesin tuaj, shpresoj se kjo konferencë të ndodhë edhe në Prishtinë. Ju ftoj të bëjmë një bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës”, është shprehur artistja nga Prishtina.

Në këtë konferencë organizohen seminare, prezantime, tryeza të rrumbullakëta dhe punëtori në lidhje me grafikën e dizajnin.

“Zhvillimi i teknologjisë grafike, sfidat e reja që dizajni grafik po ballafaqohet çdo ditë dhe ndikimi i të gjitha formave të komunikimit të realizuara përmes grafikës dhe mediave që ndërlidhen çojnë në nevojën e përhershme të shkëmbimit të njohurive shkencore dhe profesionale dhe të përvojës në fushën e grafikës, dizajnit dhe komunikimeve grafike”, thuhet në faqen zyrtare të kësaj konference./KultPlus.com

Të ngjajshme