Sislej Xhafa, pjesëmarrës në ekspozitën sensibilizuese kundër vetëvrasjeve

4 Shtator, 2017 - 9:10 pm

Artisti Sislej Xhafa nga sonte është pjesë e ekspozitës “Mal a ta Vie” në Gjenevë.

Ekspozita që është hapur sonte në Parc des Bastions e ka të përfshirë edhe artistin e njohur kosovar.
Gjithçka po zhvillohet në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Vetëvrasjeve. Shtatë kabina telefonike janë në hapësirën ekspozuese, e që ofrojnë material dhe informacion mbi vetëvrasjen e adoleshentëve dhe shifrat shqetësuese që vijnë nga vende të ndryshme.

Deri me 10 shtator, vizitorët do të mund të dëgjojnë në këto kabina telefoni mesazhe të të rinjve që kanë provuar vetëvrasjen, dëshmi nga të afërmit e tyre, këngë që kanë ndihmuar në mbijetesë dhe mënyrat se si të largohen mendimet e tilla nga koka e njeriut.

Xhafa, një artist kosovar që telefonin si simbolikë e ka përdorur së fundmi në Bienalen e Venecias në Itali, është një prej artistëve në këtë ekspozitë, krahas edhe Sylvie Auvray, Sol Calero, Benjamin Renoux, Hicham Berrada, Issam Rezgui dhe Bathelemi Toguo.

Secila kabinë telefonike i takon një artisti, i cili punon dhe e krijon atë në formën që ai e koncepton. Jo vetëm ekspozitë, “Mal a ta Vie” është menduar edhe si një kampanjë sensibilizimi në vetëvrasjen nga të rinjtë, dukuri kjo e cila është shqetësuese marrë për bazë numrat e vetëvrasjeve nga moshat e reja, shkruan KultPlus.


(Këngë nga PINK që lidhet me vetëvrasjen)

Çdo ditë, prej orës 11:00 – 14:00 dhe 16:00- 19:00, studentët e mjekësisë dhe psikologjisë do të jenë të pranishëm në hapësirën ekspozuese.

Xhafa, një artist aktiv, ka ekspozuar në Zona Arti Contemporanee, në Maxi në Romë, në Ludwig Museum në Budapest, në 21st Century Museum of Contemporary Art Kanazawa në Japoni, mes tjerash. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme