Alegoria filozofike e simbolikës në karikaturë

30 Korrik, 2019 - 9:00 am

Në katër abstragime shumë interesante karikaturisti i njohur ka përcjellë katër ide, shikuar gjithnjë me simbolika tejet intriguese. Karikaturisti Arben Meksi synon gjithnjë të përplaset me arritjet më të mira të kohës në disiplinën e vet kurse me realizimet e veta t’i japë shumë qytetari karikaturës shqiptare. Pa e veçuar nga rrafshi kombëtar, shpesh ai mundohet të përcjellë ide përmes vizatimit të qartë. Ka pasur një ngritje dhe një evolucion të shikimit të situatës së përgjithshme sociale të vendit, por karikaturisti ka synuar gjithmonë që mendimin e tij ta përfshijë në arritjet më të njohura dhe sfidat e kohës ku jetojmë.

Interesante është se në një nga punët e fundit sesi duke u nisur nga një element arkitektonik, ai ka zbërthyer një nga simbolikat që lidhet me pushtetet, të cilat ai i vizaton si statuetat shtatzana. Përmes ironisë natyrale, ai përcjell krizën e madhe ku është në kohën tonë Drejtësia dhe çfarë pritet që të vijë prej saj.
Ka një kuptim akoma më interesant figurina aspak mbresëlënëse që ai ka zgjedhur për podiumin e vet dhe në vend të shenjave flakëhedhëse apo të tjera, si aksesorë, ai përdor një shpend që i ka depozituar një vezë. Tek e fundit sot idhujt tanë janë thjesht për të depozituar gjëra, sepse asgjë nuk përcjellin më asnjë mesazh për publikun e çoroditur. Veza fle si muskul i munguar i idhujve që neve nuk i besojmë aspak.

Syrin vëzhgues e zgjidh me një personazh që largohet bashkë me përgjimin. Tek e fundit nuk është fare e nevojshme në këtë kohë kur të gjithë përgjojnë, ndaj autori e lë vendin e tij të përgjimit fare të lirë.
Dhe një ironi më e bukur është ajo që njeriu mundohet edhe me hijen e tij të largohet nga qerthulli i pamundur.
E veçanta e punëve të Meksit është se mund të abstragohet me të gjitha mundësitë dhe njohuritë që një njeri synon ndërsa e bukur është se këto punë, që ai i prodhon sipas një stili shumë të mirënjohur, i japin një klas të këndshëm karikaturës sonë të sotme, duke e mbajtur atë fije të vogël flake ende të pashuar të kësaj gjinie, megjithë sfidën e indiferencës së përgjithshme dhe një publiku që nuk e respekton. Kjo i bën këto punë dhe të tjerat, që do sjellim në numrat e ardhshëm të respektuara por edhe shumë të këndshme. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme