Alkent Pozhegu realizon mozaikun artistik, falënderon kancelaren Merkel për mbështetjen e saj ndaj kosovarëve

28 Shtator, 2021 - 11:45 am

Artisti kosovar Alkent Pozhegu së fundmi ka shpalosur artin e tij krejtësisht të veçantë në një mënyrë për të falënderuar kancelaren gjermane, Angela Merkel e cila vazhdon të mbetet një shembull për të gjitha gratë e botës e sidomos për mbështetjen që ajo i ka dhënë vendit të saj për plot 16 vjet, përcjell KultPlus.

Një mozaik nga fara të llojllojshme, ka gjetur formën e figurës së Merkel pikërisht në ditën kur Gjermania ka votuar për një kancelar të ri. Pozhegu kësaj radhe, me mënyrën e tij unike falënderon Merkel për kontributin e saj të dhënë për Kosovën.

Sheshi i Gjakovës sot ka ndjerë drithërat e ndryshme si: misri i kuq, i portkollat, orizi i bardhë dhe farat e lulediellit, me ç’rast duket qartë se arti gjithmonë nderon një person, pa marrë parasysh pozitën e tij.

Nëpërmjet artit, artisti Pozhegu ka arritur të identifikohet lehtë nga mediat e ndryshme të huaja e në veçanti nga ato gjermane të cilat kanë kushtuar artikuj të ndryshme për artin e tij.

Pozhegu, mozaikun e kancelares gjermane e ka vendosur në një shesh të Gjakovës duke e shkruar edhe fjalën ‘DANKE’ në gjuhën gjermane.

“Unë besoj që për botën është shumë, sepse një femër ka arritur të jetë më e fuqishme në botë që ka fituar katër mandate dhe ka arritur t’i jap shembull të gjitha femrave në botë. Kurse ne në Kosovë duhet të jemi falënderues gjatë tërë jetës sepse gjatë tërë kohës nuk ka munguar mbështetja e fuqishme që e kemi pasur nga Angela Merkel”, tha Pozhegu.

“Materialet për mozaikun janë, misër i kuq, i portokallt, oriz dhe fara luledielli, përmasat janë përafërsisht 3 me 4, kurse sasia e kokrrave janë shpenzuar afër 1 kilogram prej secilit përbërës”, tregon tutje ai.

Përndryshe, kujtojmë se Alkent Pozhegu mban dy rekorde ‘Guinness’ për mozaikët e tij gjigantë të bërë me fara. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme