Alketa Xhafa Mripa dërgon instalacionin artistik në Vjenë

24 Nëntor, 2019 - 9:04 pm

Instalacioni ‘Thinking of You’ po e gjen mishërimin e tij kudo.

Së fundmi, instalacioni që për fokus ka pasur gratë e dhunuara në luftën e fundit në Kosovë, me simbolikën e fustaneve, ka udhëtuar për në Vjenë.

Nga 23 nëntori, fustanat dhe ekspozita e artistes është hapur në Europahaus në Vjenë.

Kjo ngjarje është vetëm një nga aktivitetet e shumta në kuadër të shënimit “Javët e Kulturës Shqiptare” (Albanische Kulturëochen) në Austri, që ka nisur prej datës 20 të muajit të kaluar.

Janë rreth 400 fustane si pjesë e këtij organizimi në mjediset e ‘Hotel Europahaus’.

Artistja Alketa Xhafa-Mripa ka thënë se instalacioni “Mendoj për ty” synon që të tregojë para botës të vërtetën për luftën e fundit në Kosovë dhe vuajtjet e popullit shqiptar.

“Qëllimi im kryesor ka qenë gjithmonë që pas Kosovës këtë instalacion ta shfaq nëpër vende të ndryshme të botës, në mënyrë që të tregohet e vërteta e hidhur për popullin shqiptar, dhe në veçanti për gratë dhe motrat tona në luftë për të cilat edhe sot, pas njëzet vjetësh, nuk është vënë në vend drejtësia”, ka thënë Xhafa-Mripa, të premten, një ditë para se instalacioni i saj të shpaloset në Vjenë, shkruan Koha.net.

Në agjendën e kësaj Jave të rëndësishme në Austri, për muajin nëntor janë edhe promovimet e librave të ndryshëm, ekspozita, si dhe një festë për Pavarësinë e Shqipërisë nga shoqata “Iliria”.

Të ngjajshme