Alketa Xhafa Mripa fton vajzat e reja të ”vulosin” të ardhmen e tyre

26 Shtator, 2019 - 8:00 pm

Të jesh grua në një shoqëri patriarkale, do të thotë shumë. Do të thotë poashtu se sakrifica është gjëja më e vogël që duhet të bësh, për të shkuar drejt ambicieve tua. Mirëpo, për tu dëgjuar, për të rënë në sy, për të treguar se kush je, duhet të fillosh prej diku. Gjërat e mëdha nisin nga gjërat e vogla.

E sot, këtë gjë më së miri e shfaqi artistja konceptuale Alketa Xhafa Mripa, përmes një debati të hapur me vajza të reja, që për bazë kishte kauzën feministe dhe ngritjen e zërit për të drejtat që secilit njeri i takojnë, shkruan KultPlus.

Kauza është e fokusuar kryesisht në zhvillimin intelektual të vajzave të reja, në motivimin e tyre drejt të ardhmes, duke i shtyrë ato të ngrisin zërin e tyre përmes iniciativave të ndryshme, në fusha të ndryshme. Qofshin ato fusha të shkencës apo të artit.

‘Kurrë s’je shumë e re, për me pri e me pru drejtësi”, ishte kjo thënia bazë e këtij eventi, thënie kjo që e kishte inspiruar edhe artisten ideatore të këtij debati.

”Jam inspiruar nga një thënie, ka qenë një inspirim momenti. Ashtu si Greta e cila filloi revoltën e saj krejtësisht e vetme, edhe ne vajzat nga Kosova, mundemi me e ngritë zërin për të drejtat tona. Ne kemi shumë e shumë Greta” shprehej Alketa Xhafa Mripa.

Ajo përmes një fjalimi mjaft motivues për gratë në përgjithësi, e sidomos vajzat e reja, u bëri thirrje atyre qe t’i dërgojnë asaj thënië nga më të ndryshmet, që kanë për qëllimin motivimin ndaj vajzave të reja.

Këto thënie, do të mblidhen dhe me to do të bëhet një mural në Prishtinë, vendi i të cilit nuk është caktuar akoma nga organizatorët. Muralet do të bëhen me 11 dhe 12 tetor derisa të mblidhen thëniet rreth kësaj kauzë vetëdijësimi. Thëniet do të vendosen në formë të vulës, dhe do të kenë ngjyrën pink.

Ky kombinim, sipas organizatorëve, nuk është i rastësishëm. Ne jemi mësuar që ngjyra pink të simbolizojë delikatesën femërore, mirëpo, kjo delikatesë do të kombinohet me një vulë, duke e bërë kështu atë një delikatesë të vulosur e të pandryshueshme.

Artistja, tregoi edhe rreth jetës së saj dhe barrierave që ka hasur gjatë rrugëtimit të saj drejt suksesit, duke i hapur rrugën edhe publikut të bashkangjitet në debat për të folur rreth eksperiencave të tyre, që sigurisht kishin bazën në mendësinë patriarkate.

Debati zuri vend në hapësiren e ”Menzës” në lagjen Ramiz Sadiku, edhe ishte i përkrahur nga UN WOMEN KOSOVO. /KultPlus.com

Të ngjajshme