“Ambra Collection” sjell trendet e fundit të kapelave, ofron edhe kapela të personalizuara

3 Tetor, 2022 - 1:51 pm

Jeta Zymberi

Pavarësisht nëse e konsideroni veten një person të kapelave apo jo, të gjithë bëhemi adhurues të tyre kur temperatura bie nën zero. Kapela i shton një prekje të detajuar veshjes suaj dimërore.

Duke qenë në sezonin vjeshtë-dimër, kemi vendosur të fokusohemi në veshjet e kokës së kësaj sezone dhe të ju sjellim më të rejat nga ky trend.

Dimri tashmë është këtu dhe përpara se të zvarritet i ftohti ekstrem, është koha të siguroheni që të keni në dollapin tuaj të gjitha gjërat thelbësore të motit të ftohtë që do t’ju mbajnë ngrohtë dhe me stil. Ndër produktet kryesore të dimrit, përveç palltos, dorezat, çizmet apo shallet komode, sigurisht, nuk mund të harroni edhe kapelën.

Ju mund të mishëroni fantazitë më të pabesueshme në imazhin tuaj me kapelat e Ambra Collection.

“Ambra Collection” është një prej disenjatorëve më të veçanta në tregun tonë, pasi merret ekskluzivisht me kapelat dhe veçantia e saj qëndron tek puna e dorës.

Disenjatorja Ambra Hysa, në një intervistë për KultPlus na shpalos më shumë rreth kësaj nisme që fillimisht ishte një pasion por që me kohë është kthyer në një dashuri, punë e përkushtim.

“U bënë thuajse tre vite, ka nisur si një pasion për aksesorët por u orientua më shumë tek kapelat Fedora sepse ishin deri diku risi për tregun tonë, sidomos kapelat e personalizuara me iniciale apo detaje të tjera unike. Qëllimi është i qartë, “ambrascollection” të jetë një brand… por për të krijuar identitetin tënd si markë duhet shumë punë dhe unë mendoj minimalisht një 5-vjeçar në treg”, thotë Ambra.

Një laramani kapelash të tërheqin vëmendjen sapo të vizitosh profilin e Ambra Collection.

“Kapele Fedora në shumë ngjyra, të cilësisë maksimale dhe një formë të përsosur, me çmimet më ekonomike duke u përshtatur me standartet e jetesës tonë, duke u siguruar që kapelat ti mbajnë të gjitha vajzat që duan të duken stil. Bereta të punuara handmade, të qëndisura me gurë ose jo dhe rrathë handmade ( të punuar me dorë).”

Ambra Hysa

Kapelat janë pika e dobët e Ambrës, ato janë bërë pjesë e identitetit të saj.

“I mbaj të lidhura me veten fort, i dua aq shumë sa mendoj që kjo reflektohet edhe tek të tjerët. Dashuria ime për ta, i bën magnet edhe në sytë e të tjerëve.”

Këtë vit në veçanti, eklektizmi ka kaluar si një fije e kuqe në të gjitha sfilatat e modës. Duke kombinuar të papërshtatshmet, patjetër do të jeni në trend. Kapelat e kombinuara në këtë mënyrë do të luajnë një rol të madh në gardërobën tuaj. Që ju të dukeni sa më elegante, një kapele e ndritshme me një pallto të shkurtër leshi apo një kapelë leshi me një pallto, varet çka ju zgjidhni, por do të kompletojë dukjen tuaj. Ambra, kujdeset të na informojë më shumë për trendet e fundit për këtë sezonë.

“E kuqja, e zeza dhe ngjyra krem janë më të kërkuarat për sezonin e vjeshtes. Fedorat që qëndrojnë të ngrira dhe nuk përthyhen dhe beretat 100% wool, mbajnë vëndin e parë. Ata që i kanë provuar mund të bëjnë diferencën lidhur me cilësinë. Bereta, Fedora, ndoshta edhe kasketat sepse kapelet bucket i shohim pak më në hije këtë sezon.”

Puna handmade është një proces jo i lehtë, por Ambra e ka gjetur mënyrën e duhur.

“Proces që merr shumë kohë por realizohet me durim, përkushtim, pasion e zemër. Sigurisht kam dy zonja që më ndihmojnë sepse unë kam edhe angazhime të tjera dhe është e pamundur të ia dal e vetme.”

Në Ambra Collection, klientët mund edhe të personalizojnë produktet dhe interesimi për këtë pjesë nuk mungon.

“Ka shumë interes kur klientet dëshirojnë të bëjnë dhurata. Pse të mos i dhurosh dikujt një kapele cilësore, me inicialen e emrit të tij? Është një kujtim shumë i bukur”, thotë Ambra.

Duke qenë një prurje e veçantë, Ambra mendon të ruaj me fanatizëm atë që ka krijuar dhe të mos i jap trajtë tjetër.

“Kam menduar shpesh ta zgjeroj por “ambrascollection” njihet për kapelet, ka krijuar një identitet dhe unë nuk dëshiroj ti jap një trajtë tjetër. Nuk dua të rrezikoj në këtë aspekt. Në Shqipëri kemi shumë dyqane veshjesh por ka shumë pak dyqane të veçanta për ata që i dashurojnë aksesorët dhe kapelat.”

Krejt për fund, Ambra ka një mesazh për të gjitha vajzat/gratë që janë në mëdyshje për të filluar një biznes të tyrin.

“Është shumë më mirë të nisësh dhe të dështosh sesa të mos provosh fare. Sipërmarrja ka kosto, dështime, problematika por nëse ti e dëshiron vërtet dhe e dashuron punën që bën, nuk ndalesh dhe i gjen zgjidhjet. Të mos ndalesh është sekreti. Mos u tremb nga vështirësitë dhe mos u dorëzo, pas sfidave ka gjithmonë sukses për ata që punojnë fort. Biznese kërkon dedikim, kohë, vëmëndje, dashuri. Është dashuri si një bebe e vogël…dhe “Ambrascollection” është “bebja” ime thuajse 3 vjeç”, përfundon kështu Ambra. / KultPlus.com

Të ngjajshme