Rikthehet pas 170 vitesh teknika fotografike e të papërsëritshmit Pjetër Marubi

26 Tetor, 2023 - 11:41 am

Në Muzeun “Marubi” në Shkodër, mbas 170 vitesh është rikthyer teknika fotografike e kolodiumit të lëngshëm, me të cilën Pietro Marubi filloi rrugëtimin e fotografisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga aplikimi i kësaj teknike në Shtëpinë e Fotografisë përmes asistencës së ekspertëve gjermanë.

Një ndër ekspertët gjermanë është Maximilian Zeitler, fotograf dhe specialist i realizimit të proceseve historike të fotografisë. Gjatë vizitës në muzeun “Marubi” Zeitlet shikoi nga afër disa prej xham negativëve të teknikës së kolodiumit të lëngshëm të realizuara nga Pietro Marubi.

Rama tha se “Shkodra e Artit dhe Kulturës ofron një udhëtim mbrapa në kohë përmes fotografisë, me eksperiencën e veçantë të teknikës që përdorej 170 vjet më parë nga i papërsëritshmi Pjetër Marubi dhe pasardhësit e tij gjenialë të dinastisë legjendare të Marubëve”.

“Kjo teknikë e aplikuar sërish në Shtëpinë e Fotografisë përmes asistencës së ekspertëve gjermanë, të cilët e aplikojnë ende metodën e fotove bardhë e zi të punuara manualisht, risjellë në Shkodër nga drejtuesi pasionant i muzeut unikal ku ruhet thesari i Marubëve, Luçiano Bedeni”, theksoi Rama.

Pjetër Marubi, ishte një italian nga Piacenza, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e zhvilloi në qytetin e Shkodrës.

Me ardhjen në Shqipëri, ai hapi të parën studio fotografike, të cilën e emërtoi “Dritëshkronja”, duke sjellë shqip fjalën fotografi, pra të shkruash me dritë. Studioja u themelua më 1856 e sot mban emrin Fototeka Kombëtare “Marubi”.

Pjetër Marubi përveç se fotograf, ishte edhe skulptor, arkitekt e piktor.

Ai la një trashëgimi të pasur fotografike, e cila përtej vlerave artistike, ka vlera dokumentare e historike që dëshmojnë për periudhën në të cilën ai jetoi e veproi. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme