30 Shtator, 2021 - 1:49 pm
Nga: Milot Gusia, Kritik i Artit
Astrit Ismaili (1991), nga Prishtina, tani me seli në Amsterdam, Holandë, është një artist që shprehet përmes mediumit të performancës. Ai është diplomuar me titullin Master në Performancë në shkollën “DasArts” në Amsterdam, Holandë. Astriti ka pranuar grante të tilla si “Mondriaan Fund Project Investment Grant 2019” dhe çmimin e artistëve të rinj vizualë 2011 dhe ka qenë rezident në ISCP në Nju Jork. Veprat e tij janë shfaqur në galeri të shumta ndërkombëtare duke përfshirë Muzeun Stedelijk Amsterdam dhe Institutin e Artit Bashkëkohor KW në Berlin.
Veprat Astritit materializohen përmes trupave njerëzorë që ndërtojnë realitete imagjinare dhe materiale. Këta trupa ai i krijon përmes përdorimit të alter egos, zgjatjeve trupore dhe instrumenteve muzikore që vishen. Ai ndërton këta trupa për të materializuar mundësi të ndryshme për tu shndërruar, apo për tu bërë.
Dëshira për të zgjeruar dhe ‘përsosur’ trupin është një nga obsesionet më të përhapura njerëzore. “Gjithmonë të pakënaqur me atë që na ka dhuruar natyra, ne e konsiderojmë veten si “qenie të mangëta” (Sigmund Frojd). Këtë dëshirë të kamotshme të njeriut për tu “përsosur” e gjejmë të përhapur tek pothuaj e gjithë fenomenologjia artistike dhe kulturore njerëzore. Zgjatjet e trupit janë paraqitur edhe më herët në formë të zgjatjeve artificiale të pjesëve të trupit tek arti i performancave i viteve 1970 të artistes Rebecca Horn, apo duke transformuar të gjithë siluetën njerëzore tek kreacionet e viteve 1980 nga Vivienne Westwood dhe Jean-Paul Gaultier.
Në jetën e përditshme njeriu gjithmonë ka tentuar të zgjas dhe përmirësoj trupin e tij me anë të zhvillimit të parukave, thonjve artificial, aksesorëve, mbathjes së takeve të gjata, ushtrimeve trupore, rritjes së volumit të gjinjve përmes implantimeve të ndryshme nga silikoni etj. Njeriu vazhdimisht kërkon dhe bën përpjeke për të arritur perfeksionin fizik (Peter Stohler, Claudia Pantellini – Body Extensions).
Zgjatjet e trupit apo Body extensions janë një motiv i rendësishëm në veprat e Astrit Ismailit, por ato ngritën në një nivel tjetër përmes shtimit të instrumenteve të veshura. Shpesh këto instrumente të finalizuara bëhen pjesë e një performance më të madhe, por këto objekte qëndrojnë gjithashtu të vetme si vepra të pavarura. Prandaj ato janë pjesë e kërkimit të tij të vazhdueshëm mbi zgjatimet e trupit dhe instrumentet e veshura. Ai është i interesuar të shtoj cilësi të reja në trupin e njeriut, shpesh duke krijuar instrumente muzikore të veshura që prodhojnë tinguj elektronikë. Përdorimi i këtyre instrumenteve në vepra fut nocionet e Kiborg politikës dhe Biopolitikës, duke vënë në dyshim dallime të tilla si ato midis natyrores dhe artificiales, mendjes dhe trupit, të vetë-zhvilluarës dhe të dizajnuarës nga jashtë.
Artistë të shumtë kiborg eksperimentojnë me unifikimin e teknologjisë dhe trupit për të eksploruar kufijtë e perceptimit dhe përjetimit të lëvizjes në një nivel më të thellë. Ndër këta artist të sotëm, vlen poashtu të përmenden Neil Harbissoni dhe Moon Ribasi.
Për shembull, Neil Harbisson, një artist kiborg, për një kohë të gjatë jetoi një jetë pa ngjyra pasi që kishte lindur pa shqisa të ngjyrës. Tani artisti ka një antenë të implantuar në kafkën e tij e cila i mundëson atij të ndjej ngjyrën përmes vibracioneve të zërit.
Në anën tjetër, partnerja e tij, Moon Ribas është një artiste avant-garde dhe kiborg aktiviste, e njohur për zhvillimin e shqisës sizmike, që është një sensor online i implantuar në shputat e këmbëve të saj që i mundëson të ndjej tërmetet që ndodhin kudo në planetë përmes
vibracioneve në kohë reale. Për të ndarë përvojën e saj, ajo pastaj përkthen ndjenjën e saj sizmike në skenë. Ajo transponon tërmetin në zë, vallëzim, apo performancë. Shqisa sizmike e implantuar tek Ribas i mundëson asaj të ndjejë edhe tërmetet në Hënë. Ribas beson se duke zgjatur shqisat tona për të perceptuar edhe jashtë planetit, ne mund të bëhemi pjesërisht pjesë e universit. Së bashku ata janë të njohur si kiborgë, apo trans-specie të reja që prezantojnë një lidhje më të thellë në mes të njerëzve dhe teknologjisë (Indaba) .
Kiborgë artistë të shumtë eksperimentojnë me unifikimin e teknologjisë dhe trupit për të eksploruar kufijtë e perceptimit dhe përjetimit të lëvizjes në një nivel më të thellë.
Kiborg arti dëshiron të theksojë aspektin pozitiv të teknologjisë. Për shembull, njerëzit me të meta fizike janë të ballafaquar vazhdimisht me stereotipa paternalist. Me përhapjen e teknologjive bionike (duarve bionike, protezave, ekzo-skeleteve, implantimeve retinale, etj) do të zhvillohet potenciali i ndryshimit të stereotipave drejt njerëzve me të meta fizike: portretizimi i njerëzve që përdorin pajisje të tilla në media dhe kulturën e popullarizuar do të bëjë që kjo kategori e shoqërisë të duket kompetente dhe e aftë fizikisht. (Bertolt Meyer, Frank Asbrock)
Por, Astriti në veprat e tij e çon diskursin e kiborg artit në një nivel më të lartë duke vënë në dyshim dallime të tilla si ato midis natyrores dhe artificiales, mendjes dhe trupit, të vetë-zhvilluarës dhe të dizajnuarës nga jashtë, apo përmes përdorimit të këtyre instrumenteve në vepra na bën të reflektojmë rreth nocioneve të Kiborg politikës dhe Biopolitikës.
Kiborg politika ka prejardhjen nga Manifestoja e Donna Haraway, që është një ese i botuar më 1985 në Socialist Review. Në këtë vepër, është shfaqur për herë të parë koncepti i kiborgut apo refuzimit të kufijve të ngurtë, sidomos atyre që ndajnë “Njeriun” nga “Kafsha” dhe “Njeriun” nga “Makina”.
Kiborgët, apo organizmat kibernetik, janë sistemet që kombinojnë elemente natyrale dhe artificiale në një organizëm. Megjithëse, Kiborg teknologjia ka mundësuar përmirësimin e jetës njerëzore, Astriti na bën të reflektojmë rreth nocioneve të plota të Kiborg politikës. Njerëzit sot janë kiborguar në një shkallë të jashtëzakonshme përmes fuqisë së rritur të teknoshkencës, sidomos në fushën e mjekësisë, luftës, argëtimit, dhe punës. Këto ndryshime apo modifikime dhe përmirësime shtrihen nga një protezë e thjeshtë deri tek inxhinieria gjenetike dhe integrimi intim i njerëzve në sisteme më të mëdha tekniko-mekanike si sistemet e armëve njeri-makinë të ushtrive post-moderne (Gray, Mentor dhe Figueroa-Sarriera, 1995; Gray, 1997).
Astriti përmes përdorimit të instrumenteve në vepra na bën të reflektojmë edhe rreth nocioneve të Biopolitikës. Biopolitika, është një fushë ndërvepruese në mes të biologjisë dhe politikës njerëzore. Biopolitika merret me administrimin e jetës së popullatës. Filozofi Francez Michel Foucault ishte i pari që zhvilloi diskurse mbi biopolitikën në serinë e ligjëratave “Shoqëria duhet mbrojtur”( “Society Must Be Defended” ) të mbajtur në College de France më 1975-76. Koncepti i Foucault mbi biopolitikën është gjerësisht i zhvilluar nga nocioni i tij personal i biofuqisë, apo zgjatjes së fuqisë së shtetit mbi trupat fizik dhe politik të popullatës.
Në ligjëratat e tij Foucault përshkroi biopolitikën si “një teknologji të re të fuqisë që ekziston në nivele të ndryshme, në përmasa të ndryshme, dhe në fusha të ndryshme të interesit, dhe që bën përdorimin e instrumenteve nga më të ndryshmet.”
Foucault kur përmendi këtë koncept për herë të parë më 1976 dha shembuj të ndryshëm të kontrollit biopolitik. Sipas Foucault, biopolitika tenton të bëjë rregullimin e karakteristikave biologjike të popullatës; tenton të kontrollojë variablat që përcaktojnë statistikat si shkallën e lindshmërisë, vdekshmërisë, jetëgjatësisë, etj; ajo me fjalë tjera dëshiron të rregullojë, menaxhojë, dhe administrojë aspekte të shumëfishta që formojnë popullatën njerëzore.
Ai kontrastoi këtë metodë të kontrollit social me fuqinë politike në Epokën e Mesjetës të cilën e quajti Fuqia Sovrane. Derisa në mesjetë pandemitë bënë vdekjen një pjesë të përhershme të jetës, kjo ka ndryshuar rreth fundit të shek. 18-të. Zhvillimi i vaksinave dhe medikamenteve dhe higjienës publike mundësoi vdekjen të shmangej në popullata të caktuara. Me kalimin nga Epoka Klasike në Modernitet, ka ndodhur një zhvendosje nga Fuqia Sovrane në Bio-fuqi. Në
vend të subjekteve individuale, Bio-fuqia merr “speciet njerëzore”, apo së paku popullata specifike si objekte të vrojtimit (‘The Hidden Point of Intersection’).
Megjithëse Giorgio Agamben në veprën e tij Homo Sacer, reagon ndaj teorisë së Foucaultit mbi Biopolitikën. Agamben argumenton se ekziston një lidhje e fshehtë në mes të Fuqisë Sovrane dhe fuqisë Biopolitike, të formësuar në bazamentin e Shtetit Sovran (Amy O’Donoghue – Sovereign Exception: Notes on the Thought of Giorgio Agamben).
Focault thotë se Shoqëria duhet të mbrohet, Fuqia Sovrane është fuqi për të lënë të jetohet dhe të vdiset, derisa Bio-fuqia është fuqia për të qeverisur me vet jetën biologjike. Shfaqja e dominancës së Bio-fuqisë mbi Fuqinë Sovrane është shenjë e modernitetit sipas Foucaultit. “Njeriu modern është një kafshë politika e të cilit vendosë në pikëpyetje ekzistencën e tij si qenie e gjallë”(Foucault). Artistë të rinj si Astrit Ismaili, që po jetojnë në botën e ndryshimeve radikale dhe dominimeve të Kiborg dhe Bio politikës, po shprehin gjithnjë e më shumë në formë origjinale dhembjen shpirtërore humane ndaj këtyre ndryshimeve në shoqëri.