Ansambli “Shota” kremton 70 vjetorin, nga viti i ardhshëm do të jetë institucion në vete

27 Nëntor, 2020 - 4:28 pm

Artdashës të grup moshave të ndryshme në kohëra të llojllojshme kishin gjetur bashkim në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Kjo shtëpi e valleve dhe kulturës tanimë feston 70 vjetorin e themelit të saj, teksa bëhet me dije se vitin e ardhshëm do të jetë institucion në vete, shkruan KultPlus.

Përtej shfaqjeve skenike dhe kërcimeve nën ritmin muzikor, ky ansambël tani është kthyer në vulë të rezistencës kulturore të vendit, duke dëshmuar në epoka të ndryshme rëndësinë e traditave dhe përcjelljes së tyre brez pas brezi.

Tash teksa ka krijuar një histori në vete, 70 vjetorin e saj “Shota” e feston dinjitetshëm, duke e pasur një listë të gjatë emrash që dikur ia ka hapur dyert.

Edhe ky përvjetor bashkoi shumë njerëz, në ceremoninë e festimit të së cilës e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila u shpreh se ndjehet e nderuar të jetë pjesëmarrëse në këtë ngjarje.

Për dallim nga të përvjetoret tjera, ky i sivjetmi u ndje ndryshe. Kërkesa e kahmotshme e Ansamblit “Shota” gjeti realizim.

“E kam mbajtur premtimin dhe nga janari i vitit 2021, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, do të jetë institucion i pavarur”, u shpreh Vlora Dumoshi.

Tutje ministrja çmoi lart kontributin që dha “Shota” në jetën kulturore të vendit.

“Në 70 vite jetë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve ka kaluar nëpër peripeci dhe sfida të shumta, por ai është ngritur mbi to dhe është shndërruar jo vetëm në një institucion që mbanë gjallë traditën tonë të këngëve, valleve, veshjeve autentike dhe galerisë së pashtershme të motiveve popullore, por edhe në një ambasador të mirëfilltë të kulturës sonë në botë”, tha Dumoshi.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” përveç në vendin tonë, tanimë është dëshmuar edhe në skenat e shteteve përtej kufirit duke rrëmbyer çmime të shumta. / KultPlus.com

Të ngjajshme