Arben Llapashtica, fitues i garës ‘WikiLovesMonument’

Nëntor 8, 2018 - 10:25 pm

Alberina Haxhijaj

Sonte në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së është hapur ekspozita me 10 fotografitë fituese të garës ‘WikiLovesMonument”, shkruan KultPlus.

Promovimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore përmes fotografive dhe mundësia që njerëzit të kenë qasje në këto fotografi ka bërë që të organizohet ngjarja ndërkombëtare WikiLovesMonuments, e njohur në Librin e Ginisit si gara më e madhe e fotografisë e cila mbahet gjatë muajit shtator dhe organizohet nga Wikimedia Foundation dhe organizatat asociuese të saja në gjithë botën.

Një garë e tillë është mbajtur edhe në Kosovës dhe sonte solli të ekspozuara 10 fotografitë më të mira të monumenteve të trashëgimisë kulturore duke përfshirë këtu Bibliotekën Kombëtare, fotografia e të cilës edhe rrëmbeu vendin e parë. Tutje erdhën fotografitë që prezantonin monumentet si: Hamami i Prishtinës, Manastiri i Graçanicës, Muzeu Etnologjik e monumente të tjera më qëllim që të krijohet një burim i madh informacioni për kulturën dhe historinë e vendit në internet.

Rina Zhubi, menaxhere e projektit u shpreh se kjo garë ashtu si aktivitetet e tjera ka për qëllim pasurimin e Wikipedias dhe projekteve të tjera Wiki në gjuhën shqipe.

“Ne si grup i përdoruesve punojmë vazhdimisht me projekte të ndryshme që përfshijnë edukimin, përfshirjen e editimit në Wikipedia brenda kurrikulës së shkollës, bëjmë bashkëpunime me institucionet kulturore, që përfshijnë galeritë, arkivat dhe muzetë. Po ashtu edhe aktivitete të tjera të cilat ne i bëjmë si kjo garë. ‘WikiLovesMonument’ është vetëm një prej grave që ka për qëllim pasurimin e Wikimedia Commons, me monumente të Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh ajo.

E veçantë tjetër e kësaj gare është që të gjitha fotografitë e realizuara janë të lira për përdorim, për dallim prej garave të tjera të realizuar. Këto foto do të jenë në dispozicion në Wikimedia Commons ku mund të shfrytëzohen për projekte kulturore apo promovuese për Kosovën e kështu me radhë. Pjesë e kësaj tani do të jene edhe 10 fotografi nga Kosova.

Vendi i tretë i takoi Bujar Gashit me Xhaminë në Mazhiq. Vendi i dytë Arian Mavriçin me Kalanë e Artanës dhe në vendin e parë Arben Llapashtica me Bibliotekën Kombëtare. Fotografi Arben Llapashtica, fitues disa herë i kësaj gara i cili njihet si një ndër kontribuesit më të mëdhenj të Wikipedias, për fotografitë që i realizon e që promovojnë Kosovën, u shpreh se përmes iniciativave të tilla po përmirësohet imazhi i Kosovës në internet.

“Para pak vitesh nëse ke kërkuar diku për Kosovën, kanë dalë fotografi të këqija, fotografi të luftës, fotografi të propaganduara të Serbisë, ndërsa me iniciativën e organizatave këtu është pasuruar Wikipedia, është pasuruar informata për Kosovën, artikujt dhe fotografitë nga Kosova. Kështu që gradualisht në njëfarë formë Kosova po e merr vendin që e meriton. Pra me informata të sakta me artikuj të bollshëm e fotografi të mira”, u shpreh ai.

Wiki Loves Monuments organizohet nga Grupi i Përdoruesve të Wikimedias në Gjuhën Shqipe dhe mbështetet nga Fondacioni Wikimedia, FLOSSK dhe IPKO Foundation./KultPlus.com


Të ngjajshme