Argenita Fetahu shpalosi mbrëmë ekspozitën “Përtej”, kryefjala, fustani i nënës së saj

5 Mars, 2020 - 11:53 am

Qendrim Badalli

Një fustan me ngjyrë të kuqe dhe njëmbëdhjetë piktura të tjera ishin vendosur mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Ato ishin puna e piktores Argenita Fetahu e cila mbrëmë hapi ekspozitën e titulluar “Përtej”, shkruan KultPlus.com

Veprat e saj, të cilat lejojnë imagjinatën të shkojnë përtej asaj çfarë shihej, lejonin interpretime subjektive, por jo edhe ‘fustani’ i kuq, i nënës së saj, i cili ishte vendosur aty për ta pasqyruar progresin e mbetjen në të kaluarën dhe ndryshimet në kohë.

Piktorja e njohur, Zake Prelvukaj, në një fjalë rasti e ka quajtur ‘prestigjioze’ ekspozitën e mbrëmshme.

“Është një ekspozitë vërtetë prestigjioze, ku kanë ardhur artistë shumë të mirë. Edhe ky fustan shpresoj që ka me ecë dhe ka me shku shumë larg.”

Tutje Prelvukaj ka treguar për atë se çfarë përfaqëson fustani në atë ekspozitë.

“Ky fustan është Kosova vet, kjo ngjyrë e kuqe jemi ne, besoni që pas njëzet viteve ndoshta dikush do ta studioi këtë.”

Protagonistja e mbrëmjes, Argenita Fetahu, në një intervistë për KultPlus, ka folur përgjithësisht për ekspozitën.

“Kam gjithsej 11 piktura dhe kam ardhur me ekspozitën “Përtej” sepse kam dashur që njerëzit të shohin përtej tyre. Në mesin e pikturave është edhe një fustan i varur, fustani është i nënës time e cila e ka trashëguar nga nëna e saj, ndërsa sot unë po e barti në kohë.”

Fetahu ka folur edhe për arsyen se përse ka zgjedhur ta prezantojë edhe fustanin e nënës në këtë ekspozitë.

“Në jetë shpesh na ndodhin sfida të cilat i përballojmë dhe nga të cilat e marrim fuqinë për të vazhduar tutje. Fustanin e kam bërë pjesë të ekspozitës sepse nëna është ajo që gjithmonë  më ka dhënë mbështetjen dhe përkrahje.”

Fetahu, shpreson që me të njëjtën ekspozitë të paraqitet edhe në vendet tjera përreth.

“Po shpresoj që këtë ekspozitë ta barti edhe në vende të tjera, pse jo edhe në Shqipëri, Kroaci apo edhe më larg.”

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 27 mars në Galerinë e Ministrisë së Kulturës / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme