Arkitektët e rinj kosovarë garojnë për çmimin People’s Choice Awards me “Pavijonin Kombëtar të Kosovës”

5 Gusht, 2018 - 6:20 pm

Një grup i arkitektëve të rinj nga Kosova kanë krijuar konceptin e Pavijonit Kombëtar të Kosovës për t’u bërë pjesë e garës “Imagine your national pavilion” të organizuar nga Archstorming për çmimin People’s Choice Awards.

Amir Zejnullahu, Denis Qerimi, Diellza Bucaliu, Labinot Mehmeti bashkuan forcat e tyre për të krijuar këtë pavijon, duke u munduar të zgjedhin mënyrën më kreative për të paraqitur një pasqyrë të historisë së Shqiptarëve e cila prek shumë sfera të jetës së tyre duke përfshirë : politikat, kulturën, traditën, gjuhën, dhe virtytet e këtij populli ndër shekuj.

Të kontaktuar nga Ndërtimi.info, arkitektët kanë treguar gjerësisht rreth idesë së tyre për pavijonin.

“Për të kuptuar thelbin e historisë së Shqiptarëve duhet shumë kohë. Duke qenë të pushtuar që nga periudha e Ilirëve e shekuj të tërë me revolta e luftë për liri, tregojnë që shqiptarët asnjëherë nuk u dorëzuan të mbrojnë atë që është e tyre. Ideja ka qenë që të paraqitet një gjeometri urbane që e krijon një koncept të historisë për një lexues që nuk di për historinë tonë. Pozicionimi i shtëpive në mënyrë jo të rregullt të harmonizuara në mes vete që rrethohen nga një mur i cili ka vetëm një hyrje në oborr, tregon për miqësinë, mirëpritjen dhe dashurinë e shqiptarit për njeri-tjetrin, shtylla e pjerrët si simbol i qëndrueshmërisë dhe rezistencës për ta ruajtur traditën, hapjet e shumta (vrimat në mur), urat lidhëse si simbol i lidhjes mes Shqiptarëve ndër shekuj, dhe kullat e gjata që janë “mysafirët” qe kanë qenë me shekuj në këto troje dhe janë akoma” kanë treguat arkitektët.

Materialet e përzgjedhura për krijimin e pavijonit janë bërë në raport me konceptin dhe traditën shqiptare: betoni, tulla dhe druri. Ideja për t’u bërë pjesë e kësaj gare kishte lindur nga vetë tema e konkursit që dizajni duhet të jetë një paraqitje didaktike, ku përmes projektit të shprehet më së miri ajo çka e përfaqëson vendin.

“Për të qenë sa më qartë dhe pa fjalë shumë: Mit’hat Frashëri shkruante se: Shqiptarët nuk kanë rrojtur kurrë për veten e tyre, dhe se ata kanë sakrifikuar edhe esencën e tyre të të jetuarit për “të tjerët”, ku talentin dhe vullnetin e tyre e kanë përfituar “të tjerët”. Ajo çka paraqitet ne dizajn nuk do të thotë që është një lidhje e drejtpërdrejtë me Arkitekturën vendore në aspektin e gjeometrisë, mirëpo më shumë një paraqitje figurative” shprehen arkitektët.

Synimi i tyre si pjesëmarrës është që të mësohet më shumë për shqiptarët.

“Është shkruar shumë pak për shqiptarët ndërsa mund të shkruhet shumë më shume. Kanë neglizhuar shume publicitetin, dhe ky ka qenë gabimi më i madh i tyre” thonë ata.

Archstorming, është një kompani e themeluar në shkurt të vitit të kaluar dhe qëllimi i saj nuk është vetëm të ekspozojë idetë arkitekturore dhe të gjejë zgjidhje për shumë probleme urbanistike, por edhe t’i përgjigjet kërkesave sociale dhe të përpiqet të krijojë një botë më të mirë.

Kompania përpiqet që të organizojë tre deri në pesë gara arkitekturore në vit, në mënyrë që njerëzit e interesuar të kenë mundësinë të tregojnë idetë e tyre në një mënyrë shumë vizuale dhe sintaksore, duke qenë sa më solide, inovative dhe të respektueshme me çështjen si ata munden.

Këtu mund ta gjeni linkun e votimit të projektit të arkitektëve Kosovarë, me kodin WEP0418061. Votimi do të qëndrojë i hapur deri më 15 gusht, ndërsa me 16 gusht do të bëhet përzgjedhja e fituesve:

https://www.archstorming.com/weppublic.html

Të fundit

Të ngjajshme