16 Korrik, 2025 - 10:45 am
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri u çel ekspozita “Armiku i jashtëm” nga shkrimtari Bashkim Shehu. Tema që përcjellë ekspozita synon të shpërfaq mendësinë totalitare.
Ekspozita duke vënë theksin mbi totalitarizmin, nëpërmjet karikaturave të revistës politiko-humoristike Hosteni përgjatë viteve 1945-1990, paraqet përfytyrimet zyrtare të armikut të jashtëm, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si është përfytyruar ky armik në diktaturë.
“Kjo ekspozitë fokusohet në 2 shtylla të totalitarizmit shqiptar, njëra është njeriu i ri dhe tjetra vetëizolimi total, i cili ishte në funksion të kontrollit total. Kjo ishte arsyeja e marrëzisë, e vetëizolimit të vendit”. shprehet Shehu.
Përmes artit të karikaturës, Shehu ofron një këndvështrim ndryshe mbi historinë e Shqipërisë, duke treguar se si një vend me shumë aleatë, gradualisht e ngushton rrethin e miqve të tij, derisa përfundon si një nga shtetet më të izoluara në botë, përcjellë KultPlus.
“Këta karikatura kanë për temë armikun e jashtëm, siç quhej në atë kohë. Në të vërtetë më shumë se regjimet në vendet e tjera, flasim për regjimin shqiptar të kohës”, shton ai.
Mekanizmat e propagandës së kohës rikthehen përmes kësaj kujtese vizuale dhe kulturore. Ekspozita “Armiku i Jashtëm” do të qëndrojë e hapur në COD deri më 23 gusht, ku vizitorët kanë mundësi të shohin karikaturat e paraqitura dhe të lexojnë si diçiturat origjinale të kohës, ashtu edhe komentet e vendosura nga vetë Bashkim Shehu./TopChannel/KultPlus.com