Arta Loxha, artistja që përmes artit promovon kulturën shqiptare në Amerikë

27 Janar, 2021 - 1:23 pm

Medina Pasoma

Përderisa disa persona bëhen tok shpirtërisht me profesionin, ajo ka arritur të bashkëdyzohet me emrin e saj. Arta Loxha, një shqiptare nga Amerika, që në bankat e shkollës fillore krijimtarinë artistike e pa si një shpëtim shpirtëror dhe e barti mallin e atdheut në të, shkruan KultPlus.

Si e lindur dhe e rritur në Mahnattan, Arta barti me vete identitetin dhe kulturën shqiptare në çdo hap të sajin, madje edhe në botën e saj artistike, e cila nisi qysh kur ajo ishte e vogël.

Periudha e shkollës së mesme për të do të shndërrohej në pjesën kur do të krijonte lidhje me artin në mënyrë profesionale. Dyert e shkollës së mesme “Laguardia High School of Music, Art and The Performing Arts”, u hapën për të, duke qenë pararendëse të studimeve akademike në prestigjiozen “Hunter College”.

Mirëpo, dashuria e saj për pikturën kishte nisur para leksioneve të profesorëve të huaj, ka treguar Arta për KultPlus.

“Në klasën e parë, kur kishim ndonjë detyrë të shkrimit, nxitoja ta mbaroja pjesën e shkrimit me sa më pak rreshta, që të kem sa më shumë hapësirë poshtë për ilustrim shoqërues”, fillon rrëfimin e saj me plotë entuziazëm Arta Loxha.

Që nga këto kohëra e deri më tash shumëçka ka ndryshuar, e më së shumti krijimtaria e Artës, e cila është profesionalizuar dhe dëshmuar.

Siç ndodh rëndom me shqiptarët e diasporës, lidhja e saj me vendin ku ka prejardhjen mbetet e veçantë, andaj ajo kujdeset që pothuajse në çdo vepër të saj t’i bëj ‘konak’ motiveve shqiptare.

Veshjet tradicionale, simbolikat e qyteteve e traditat antike shkrihen në brushat e ngjyrat e Artës, për të mbetur një formë promovimi të kulturës shqiptare te banorët e Amerikës dhe më gjerë. Madje, ajo që bie në sy në veprat e publikuara në faqen personale në Facebook, “Arta the artist”, është kreativiteti i shprehur në kartat e dorës. Në vend të figurave të zakonshme që jemi mësuar t’i shohim, Arta i bën vend personave me veshje shqiptare në to. Përveç dukjes të veçantë, kjo formë unike e kartave në gërshetim me kulturën shqiptare, ka edhe një histori të ndjeshme brenda vetes.

“Rreth 15 vite më parë, fillova të ndihmoj gjyshen time në Nju Jork për të përfunduar qepjen e kostumeve kombëtare. Gjyshja kishte shumë dëshirë dhe ndjente kënaqësi gjatë kësaj pune, qëllimi i saj ishte që secila prej mbesave të saj të kishte nga një veshje kombëtare të qëndisur nga duart e saj”, sqaron artistja nga Amerika.

Në anën tjetër, përgjatë kësaj kohe ajo u mahnit nga pasuria e veshjes shqiptare, teksa e futi veten në rrugët e studimeve të kësaj pjese.

“Gjatë kësaj kohe isha e angazhuar në studime, hulumtime të veshjeve mbarëshqiptare dhe u dashurova, u magjepsa me të gjitha veshjet e rajoneve mbarëshqiptare. Fillova të qëndis, të bëja punë dore, krijime të frymëzuara nga këto veshje tradicionale, antike”, shtoi Arta Loxha.

Por, përtej veshjeve tradicionale, përfshirja e tyre në karta dore të lojës ka edhe një simbolikë tjetër që ndërlidhet me gjyshen e saj.

“Gjatë kësaj kohe kam luajtur lojëra tradicionale të letrës me gjyshen time, si “Xing” dhe “Xhandar”. Vitin e kaluar, gjyshja ime ndërroi jetë dhe unë shpesh mendoja për kohën që kemi kaluar së bashku. Të njëjtat lojëra me letra që kam luajtur me gjyshen time, u kam mësuar fëmijëve të mi. Ky ishte fillimi i idesë time, letra me motive shqiptare”, thekson Loxha.

Andaj, artistja vendosi që këtë formë të krijimit artistik ta bëj me shumë dashuri dhe nostalgji për gjyshen e saj.

“Në këtë mënyrë unë mbaj kujtimin e gjyshes sime, si dhe kulturën tonë mbi fëmijët e mi”, konkludon Arta Loxha.

Në pyetjen se cilat janë elementet që më së shumti janë prezente në krijimtarinë artistike të saj, Arta thotë se tatuazhet dhe detajet e njohura popullore zënë më së shpeshti vend, si një kujtesë e të kaluarës dhe historisë, teksa për artin ka pikëpamje interesante.

“Arti më jep lirinë për t’u shprehur plotësisht. Është e ngjashme me të pasurit e një sensi të 6-të. Kur nuk mund të përshkruani një ndjenjë me fjalë, art të jep në gjendje ta ilustroni atë ndjenjë”, thotë Loxha.

Pavarësisht pse artistët nuk mund të bëjnë dallime për veprat e tyre, për KultPlus ajo i veçon disa që i ka për zemër.

“Veprat që më së shumti i dua nga krijimtaria ime janë seritë “Stinët”, të cilat janë plot me “Easter Eggs” apo detaje të fshehura,  aspekte që tregojnë pjesë të kulturës”, vlerëson artistja.

Arta përmend edhe ilustrimin “Pranvera”, në të cilën paraqitet një grua me veshje tradicionale nga Elbasani.

“Elbasani është vendi ku festivali “dita e verës” u festua historikisht. Ajo gjithashtu ka rrathë që bëhen tradicionalisht gjatë kësaj feste. Lulet që ilustrova janë “Anemone blanda”, një lule që është vendase në Ballkan”, sqaron Arta Loxha.

Veprat e saj janë pritur mirë nga publiku, ndërkaq ajo ndjehet më së miri kur diçka e re mësohet nga arti i saj, teksa përmend ndonjë fjalë të re, përrallat popullore dhe detajet tjera burimore shqiptare. Si banore e Amerikës, nuk mund të lë pa përmendur edhe reagimet e të huajve ndaj krijimtarisë së saj.

“Amerika, sidomos Nju Jorku është me plot njerëz të kulturave të ndryshme. Është interesante të shohësh motivet dhe ngjashmëritë e zakonshme në kultura të ndryshme. Ne kemi më shumë gjëra që na lidhin sesa që na ndajnë me ta”, vlerëson Arta Loxha.

Ajo synon që të gjitha këto vepra artistike të kenë pikëtakim një ekspozitë me disa artistë shqiptare në Nju Jork, teksa kjo do ta bind publikun edhe një herë se arti është ‘urë’ kulturash në çdo kohë. / KultPlus.com

Të ngjajshme