займ на карту онлайн потребительский кредит

Momente nga jeta dhe betejat e Skënderbeut u shpalosën sonte përmes ekspozitës “Moti i Madh”

16 Nëntor, 2018 - 8:32 pm

Jeta Zymberi

Muzeu i Kosovës mirëpriti sot “Skënderbeun” me gjithë forcën e tij prej një njeriu i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, shkruan KultPlus.

Sonte, madhështia e tij depërton tek secili njeri përmes simboleve të tij, statute, replika, e gravura të autorëve të ndryshëm. Të gjitha këto u shpalosën për publikun në Prishtinë përmes ekspozitës “Moti i Madh” e cila erdhi në kuadër të 550 – vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Vizitorët të cilit nuk ishin në numër të madh sonte, patën rastin të njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar.

Objekti qendror i ekspozitës ishte përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman, e cila pasqyrohej nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me `emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.

Në ekspozitë ndër të tjera u ekspozuan për publikun edhe dy letra të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat tregonin bashkëpunimin e Skënderbeut me mbretëritë europiane të kohës.

Në hapje të ekspozitës fjalën fillimisht e mori Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vjollca Aliu e cila tha që kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Ajo gjithashtu tregoi që e njëjta ekspozitë është hapur edhe në Muzeun Historik Kombëtar në Shqipëri.

Për të folur për përmbajtjen e ekspozitës, fjalën e mori drejtori i Muzeut Historik kombëtar, Dorian Koçi. Ai fillimisht tha që është një kënaqësi e veçantë që po hapin në Prishtinë këtë aktivitet të përbashkët.

“Në këtë vit jubile për Heroin tonë Kombëtarë, ne po shpalosim në këtë ekspozitë statute, faksimile, gravula të autorëve të ndryshëm dhe portrete. Skënderbeu përveç që ishte një ushtarak e strateg i zoti, ai ishte edhe një politikan e diplomat i shquar. Ekspozita “Moti i Madh” është një kujtim dhe shenjë e bashkësisë arbëreshe që nëpërmjet letërsisë së shkruar mbajnë të pashuar zjarrin e ditëve të Skënderbeut për të ringjallur ashtu si feniksi në memorien dhe kujtesën kolektive të mbarë shqiptarëve”, tha në hapje të ekspozitës Dorian Koçi.

Pas fjalës hapëse, të gjithë të pranishmit u drejtuan rreth pjesës ekspozuese ku me vëmendje po lexonin e shikonin çdo gjë të shpalosur aty e ku drejtori Dorian Koci po ju përshkruante për secilën pjesët të ekspozuara me radhë.

Ndërsa ish-drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, u shpreh i kënaqur që me këtë ekspozitë po përmbyllet fundi i aktiviteteve të Vitit të Skënderbeut.

“Është kënaqësi për ne që ta përmbyllim këtë fund të aktiviteteve të Vitit të Skënderbeut me këtë ekspozitë në Muzeun Historik të Kosovës e cila do të qëndrojë e hapur për një kohë të gjatë dhe qytetarët do të kenë mundësi ta vizitojnë. Kjo ekspozitë e prezanton në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë figurën e Skënderbeut. Figura e Skënderbeut është shëndrru në një temë dhe motin trajtimi te qindra artistëve të vendeve të ndryshme evropiane, në mediume të ndryshme të artit dhe kjo pjesë e perceptimit të evropianëve për Skënderbeun dhe shqiptarët është me një mënyrë e përfaqësuar në këtë ekspozitë”, u shpreh Boshtrakaj për KultPlus. Ai tutje tha që po shpreson që një pjesë e mirë e shkollave do ta shfrytëzojnë rastin ta shohin këtë ekspozitë dhe të shënohet bashkërisht fundi i vitit të madh të Skënderbeut.

E pranishme në ekspozitë ishte edhe skulptorja Arjeta Miftari të cilën tashmë jemi mësuar ta hasim në secilin aktivitet kulturorë. Ajo foli për KultPlus duke e mirëpritur këtë lloj bashkëpunimi shumë të rëndësishëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, por duke shprehur dëshirën që këtë bashkëpunim ta bëjnë edhe me trevat tjera të Kosovës.

“Kosovës ju ka dashtë një ekspozitë e tillë, unë pash shumë gjëra interesantë që më herët nuk kam pasur rast t’i shohë. Kjo ekspozitë sjellë një pjesë të historisë së popullit tonë, dhe nga gjithë këto ekspozime ishin disa monedha që mua më lidhen më shumë personalisht se gjërat e tjera, por në përgjithësi është një ekspozitë që prezanton historinë tonë dhe është mirë ta dijë secili vizitorë që vije këtu”, u shpreh Miftari për KultPlus.

Ekspozita do të jetë e hapur nga sot deri më 6 dhjetor./KultPlus.com

Të ngjajshme