Artisti Agim Salihu ekspozon në ‘Tokyo International Graphic Triennial 2018’ në Japoni

12 Korrik, 2018 - 9:30 pm

Tokyo Tama Art Museum, organizon për të gjashtën herë “Trienalen Ndërkombëtare të Grafikes Bashkëkohore”.

Ekspozita mbahet çdo tri vite duke synuar prezantimin e artit të grafikes kontemporane në trendet më bashkëkohore që ndodhin në botë si dhe përmbledhjen e të dhënave artistike, teknologjike për materialet dhe teknikat e grafikes artistike, përcjellë KultPlus.

Në edicionin e gjashtë kanë konkurruar rreth 2000 artistë nga 92 shtete. Juria e përbërë nga tri juri profesionale, ka punuar në tri faza të veçanta, nga muaji shkurt deri në fund të muajit qershor. Për të ekspozuar në këtë Trienale janë përzgjedhur 347 artist, në mesin e të cilëve është edhe artisti nga Kosova, Agim Salihu.

Kryetar i jurisë për 3 fazat e përzgjedhjes së artistëve ishte kritiku i artit, Tatehata Akira – Tama Art University President (i njohur për disa libra të cilat i ka shkruar për artisten me famë Botërore, Yayoi Kusama).

Vepra e Salihut pas ekspozitës do të mbetet në koleksion si thesar i vlerave kulminante në, ”Tokyo Tama Art Museum ”.
Kjo është vepra e dytë e Salihut në këtë Muze, pas koleksionit të vitit 2015.

Agim Salihu, gjithashtu ka hapë ekspozitë të pavarur në Galerinë, Enter Into Art, në Kelln – Gjermani në periudhën mars – maj 2018. Në vitin 2017, artisti Agim Salihu fitoi çmimin e jurisë në ekspozitën, “International Enter Into Art” në Kelln – Gjermani. /KultPlus.com

Artisti Agim Salihu

Të ngjajshme