Artisti disident, pas tre vjetësh ekzili, paralajmëron ta braktisë Berlinin

8 Maj, 2018 - 9:00 am

Artisti kinez Ai Weiwei është duke u përgatitur që të përshëndetet me Berlinin, pas tre vjetësh qëndrimi aty, por do ta mbajë studion e tij përgjithmonë në këtë qytet.

Artisti 60 vjeç i të drejtave të njeriut ka bërë të ditur se arsyeja kryesore që e ka nxitur ta gjejë një shtëpi të re është barriera gjuhësore.

Përveç kësaj, ai ka thënë se gjithmonë ka dashur të jetojë në një vend ku ka më shumë diell, thuhet në shkrimin e DW, që e transmeton sot “Koha Ditore”. “Kudo që vendosem, nuk mund ta quaj shtëpi”, ka shpjeguar ai, duke shtuar se nuk do të ndodhë që ai të kthehet në Kinë së shpejti.

Gazeta e përditshme gjermane “Der Tasesspiegel” ka raportuar se artisti i ka bërë të ditura planet e tija, “rastësisht” në një ngjarje në Berlin. Ai Weiwei ka kaluar rreth katër vjet nën arrest shtëpiak në Kinë, derisa i ishte kthyer pasaporta dhe më në fund i ishte mundësuar ta braktiste Kinën në fund të korrikut të vitit 2015.

Siç synonte edhe para arrestimit, artisti i jashtëligjshëm ishte shpërngulur në Berlin për t’iu bashkuar familjes së tij dhe kishte ligjëruar si mësimdhënës mysafir në Universitetin e Arteve të Berlinit, punë që iu ofrua më 2011 – dhe ligjërimi i tij trevjeçar do të përfundojë gjatë kësaj vere. Artisti po ashtu ka hapur një studio të planifikuar qëmoti në ish-Pfeffergeb, në zonën “Prenzlauer Ber”. Artisti i mirënjohur që provokon me art kishte vazhduar të merrej me ngjarje aktuale politike gjatë qëndrimit të tij në Berlin – veçanërisht me fatin e refugjatëve.

“Ai konsideron që përgjegjësia e tij është si mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe nuk mendoj që kjo do të ndryshojë”, ka thënë Adrian Locke, kurator i muzeut që kishte përgatitur një ekspozitë të Ai Weiwei në “Royal Academy” në Londër, më 2015. Verën e atij viti, një fluks i madh refugjatësh kishte mbërritur në Evropë. Gjendja e tyre i dha jehonë punës së artistit i cili bëri udhëzime të rrezikshme që e inspiruan në një seri projektesh artistike, përfshirë edhe filmin “Human Flow”.

“Me secilën ekspozitë përpiqem t’i përgjigjem edhe pyetjes se kush jam unë”, ka thënë artisti për një dokumentar të realizuar nga “DW”, ku pasqyrohej puna e tij e një viti. Dokumentari titullohet “Ai Weiwei Drifting”.

“Berlini më ka dhënë një kohë të rëndësishme të riorientimit dhe me studion time e injorancën për gjuhën gjermane, më ka ndihmuar ta kisha izolimin e nevojshëm për të bërë punën time”, ka thënë Ai.

“Studioja ime në Berlin gjithmonë do të mbetet baza ime: asnjëherë nuk do të heq dorë prej saj”, ka shtuar ai. Gjatë ngjarjes së njëjtë ku e ka dhënë lajmin, artisti po ashtu ka konfirmuar se e ka takuar liderin separatist katalonjas, Carles Puigdemont në Berlin. Bashkë kanë folur për situatën e të drejtave të njeriut në Evropë dhe për mundësitë për një protestë ligjore në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe demokracisë./KultPlus.com

Të ngjajshme