“Kujtesa në lëvizje”, ekspozita që eksploron trashëgiminë kulturore të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian

15 Dhjetor, 2017 - 10:00 am

“Kujtesa në lëvizje” e cila eksploron trashëgiminë kulturore të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian përmes kujtesës kolektive do të hapet më 20 dhjetor, në ora 20:00 te Klubi i Boksit, shkruan KultPlus.

Lëvizjet e popujve gjithmonë kanë pasqyruar një lloj largimi apo shkëputje nga një entitet identitar në të cilin bënin pjesë fillimisht. Shpesh është konsideruar si kërcënim për kulturën e individit apo grupit, sepse herët a vonë lëvizja do të nënkuptonte harresë, shkrirje apo asimilim dhe tjetërsim, thuhet në përshkrimin e kësaj ekspozite, ku vlerësohet se rëndom identiteti është i lidhur me një hapësirë të caktuar gjeografike dhe në mënyrë që të ekzistojë, konsiderohet se duhet patjetër të qëndrojë me rrënjë në një tokë. Por në botë historikisht ekzistojnë grupe të cilat kanë dëshmuar se identiteti dhe ndjenja e përkatësisë mund t’i tejkalojnë kufijtë gjeografik nëse në vetëdijen e tyre është rrënjosur thellë një trashëgimi shpirtërore dhe kulturore e përcjellë më këmbëngulësi ndër gjenerata.

“Të eksplorosh trashëgiminë kulturore dhe kujtesën kolektive të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë do të thotë të eksplorosh një botë shumë të pasur kulturore e shpirtërore pavarësisht kushteve materiale në të cilën është zhvilluar. Përtej jetesës së tyre të vështirë në margjinat e shoqërisë, përtej diskriminimit dhe stereotipave, komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian ngërthejnë në vetë një botë të larmishme kulturore, gjurmët e të cilës vërehen edhe në kulturën shqiptare e sidomos ballkanike”, thuhet më tutje në lidhje me këtë ekspozitë.

Ekspozita Kujtesa në lëvizje është epilog i një pune një vjeçare në mes CHwB Kosova dhe Balkan Sunflowers Kosova, në promovimin e trashëgimisë kulturore me fokus në kujtesën e përbashkët kolektive të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Kujtesa e përbashkët e këtyre komuniteteve do të paraqitet përmes artefakteve, fotografive personale, pikturave, poezisë, historive gojore dhe muzikës (performancë live ngaGipsy Groove), eksplorimi i së cilave është një ftesë për të kuptuar ruajtjen e identiteteve që arritën të mbijetojnë përtej kufijve gjeografik, përjashtimit dhe stigmatizimit./KultPlus.com

Të ngjajshme