Artistja shqiptare në Itali: Alpet e vendlindjes, inspirim për punën time

12 Maj, 2021 - 1:44 pm

Guximi dhe këmbngulja i dhanë emrin dhe profesionin që ka sot. Për Alketa Bercaj Delishaj të bërit art është simbolizim, shenjë e fortë identifikimi me personazhet me të cilat komunikon. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare” Alketa tregon rrugëtimin e saj në Itali, si dhe detaje për galerinë që ajo prej gjashtë vitesh menaxhon në vendin ku jeton.

Ju jeni një piktore, artiste bashkëkohore dhe prej vitesh jetoni në Itali. Para se të flasim për profesionin dhe talentin tuaj, na tregoni disa detaje mbi historinë tuaj të emigrimit. Kur jeni larguar dhe pse zgjodhët Italinë?

Largimi im nga Shqipëria është histori e njëjtë me shumicën e shqiptarëve në emigrim, kam ardhur në Verona në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare dhe nuk jam shpërngulur në asnje qytet tjetër që nga maji i vitit 2001, pas pak ditesh 20 vjet emigim.

Kur lindi pasioni juaj për pikturën dhe si vendosët ta kthenit në profesion?

Isha shumë shumë e vogël kur vizatoja me ato pak lapsa shumë ngjyrëshe në fëmijëri, kisha pasion të bëja portretet e këngëtarëve dhe artistëve të asaj kohe si Michael Jackson etj… Bëja aq shumë portrete saqë jua falja shokëve në shkollë, kujtoj një ngjarje gazmore: Një ditë kur mësuesi hyri në klasë nxorri nga xhepi një letër të një vizatimi tim, ai ishte shumë serioz nuk qeshte kurrë në klasë, e hap letrën me portret dhe e drejton nga klasa, e gjithë klasa urtë. Të ngrihet në këmbë autori i kësaj zhgarravine: Unë ngrihem në këmbë me gjakun e ngrirë…TË LUMTË…ULU! Dhe e fut përsëri në xhep me atë seriozitetin e tij.

Ardhja në Itali më ngacmoi aq shumë të informohem rreth arkitekturës, artit dhe kulturës së vendit. Studiova me ato mundesitë e mija si emigrante dhe më në fund i thashë vetes që unë do punoj vetëm për veten time, që sdo kisha kurrë një punë që nuk e dëshiroja dhe me atë kokëfortësinë time arrita të kem një emër, një profesion.

Dominon ngjyra blu në punimet tuaja, apo jo? Pse kjo zgjedhje?

Ngjyra blu është thjeshtë një periudhë, ajo që më intereson tek arti im nuk është ngjyra, por simbolizmi si shenjë e fortë identifikimi në personazhet me të cilat komunikoj. Janë zhytësit e olimpiadave, njerëzit e thjeshtë në përditshmërinë e tyre, profesionistët e lojës së tenisit apo të golfit. Portretet e mia më të suksesshme janë ato që i kam dedikuar femres së viteve 20 si ikona të një periudhe në olimpiadat e hedhjes nga trampolini.

Ju jeni nga Shkodra, mendoni se lidhet pasioni juaj për artin me faktin se jeni shkodrane?

Unë në fakt kam lindur në një fshat të Malësisë së Madhe, nuk e di nga vjen pasioni im për artin dhe dizainin. Në familjen time nuk kemi patur asnjë komunikim me artin. Nuk jemi rritur të rrethuar nga arti, por nga malet rreth e rrotull e liqeni.

Kur ktheheni në Shkodër cilat vende ju inspirojnë më shumë për të pikturuar?

Absolutisht liqeni dhe alpet shqiptare.

 Po ato vende që do donit tí ndryshonit në Shkodër?

Shkodra dhe Malësia janë ndër vendet më të bukura ku mundet të shkelësh. Mund të bëhen përmirësime në marrëdhëniet ndërpersonale, komunikuese, civilizimin superficial të telenovelave, më e keqja akoma e mitit televiziv që nuk pasqyron realitetin e shqiptarëve. VARFËRINË.

Keni hapur një galeri tuajën në Itali apo jo, si po ecën?

Ka 6 vite që unë kam studio/galerinë time, koha e pandemisë ka revolucionalizuar edhe artin. E mira e punës time ka qënë dhe prezantimi online si në websit www.alketa.art gjithashtu ajo e rrjeteve sociale.

Kam punuar shumë mirë dhe me klientë internacional. Përmend këtu klientin tim më të mirë BELMOND GROUP, marka e njohur LOUIS VUITTON në Londer të cilët kanë zgjedhur punimet e mia për të bërë arredimin e një ndër hoteleve të tyre luksoze që është inauguruar në mars të këtij viti në Portofino të Italisë.

Keni pasur vizitorë shqiptarë?

Vizitorët shqiptarë i gjen nëpër festa kercimi jo nëpër muzeume dhe galeri.

Është në projektet tuaja një ekspozitë në Shqipëri?

Nuk është ndër projektet e mija asnjë ekspozitë në Shqipëri. Shqipëria i përket shqiptarëve që jetojnë atje, ne emigrantët nuk jemi problem i tyre. (jemi gjenerata: të huaj atje, të huaj këtu).

Jam plot me projekte të reja këtu, disa ekspozita në Torino, në muajt në vazhdim dhe mbase në jug të Italisë. Një projekt tjetër që tani për tani është akoma në punë e sipër. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme