Astrit Ismaili, me operetën ‘MISS’ në Amsterdam e Lozanë

28 Janar, 2020 - 7:41 pm

Puna më e re artistike e artistit Astrit Ismaili është më e veçantë dhe unike se tjerat.

Bëhet fjalë për një operetë e cila është kompozuar për tu performuar më pas nga tre performues.

Vetë Astriti, bashkë me Ivan Cheng dhe Magdalena Mitterhofer janë pjesë e kësaj operete.

“Kjo performancë i eksploron tri referenca nga e kaluara. E para, lulen e parë dhe evoluimin botanic prej bimës në lule, Cicciolina – dikur një porno-star dhe më pas një këngëtare por edhe politikane nga Hungaria, dhe Miss Kosova – një figurë gjysmë fiktive e cila është ndërtu duke u bazu në tranzicionin e Kosovës si pjesë e Jugosllavisë e deri te Pavarësia e saj” tregon për KultPlus Astrit Ismaili.

Astriti vikendin e kaluar e performoi operetën e tij në Amsterdam, pjesën e parë nga opereta “MISS”.

“Pjesa e parë e operetës u shfaq në festivalin Les Urbaines në Llozanë të Zvicrës në dhjetor, ndërsa ishim edhe në Amsterdam në Galerinë Rozsenstraat Rose is a Rose is a Rose. Interesimi i publikut në të dyja rastet ka qenë i madh” tregon Ismaili.

“Tri referencat nuk kanë lidhje me njëra tjetrën por çka i bashkon janë situatat në të cilat kreativiteti përdoret si mjet për tu ballafaquar me kufizime e limite” tregon Astriti.

Po bëhet gati edhe një turne nëpër Evropë për të shfaqur e performuar këtë operetë.

Astrit Ismaili, artist nga Prishtina, është i njohur për artin e tij provokues dhe shpesh të fuqishëm në kauzat pas tij. Astriti viteve të fundit më shumë është aktiv jashtë Kosovës. Ai e morri çmimin ‘Artistët e së Nesërmes’ ndërsa punët e tij artistike janë shfaqur në Beograd, Stamboll, Zvicër, Holandë e në shtete tjera. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme