‘Atelieja e Piktorit të panjohur’ , ekspozita e artit mistik që përpiqet t’i flasë mendjes

22 Tetor, 2023 - 8:30 pm

Flonja Haxhaj

Piktori i panjohur bën piktura që ngjallin mister, duke u përpjekur të komunikojë me mendjen e shikuesit përmes një gjuhe të papërshkrueshme. Me dëshirën për të larguar vëmendjen nga vetja e tij, ai refuzon të japë shpjegime konkrete për krijimtarinë e tij, duke u përpjekur të lërë hapësirë për interpretim të lirë.

E një ndjesi të tillë, publiku përjetoi të premten e 20 tetorit, në Galerinë Kombëtare të Kosovës teksa u hap ekspozita ‘Atelieja e piktorit të panjohur’, ku u prezantua arti i veçantë e mistik i piktorit Genc Berisha.

Që në hyrje, kjo ekspozitë të jep ndjesinë e diçkaje që nuk ka standarde të deshifrimit, sepse piktori ka dhënë ndjesitë e tij në vepra dhe më pas e lë publikun të përceptojë krejtësisht natyrshëm nga këndvështrimi i tij secilën shenjë që ai ka lënë në pikturë, shkruan KultPlus.

Pikturat, të cilave Berisha ua ka bashkëngjitur edhe përshkrimet  në stil kaligrafik, bëjnë që këto vepra të depërtojnë e t’i flasin drejtpërdrejt mendjes së atyre që i shohin, duke tentuar të largojë vëmendjen nga vetja, e ta lë veprën të flasë, e jo më kot edhe cilësohet e vetëcilësohet si piktori i panjohur.

Por pavarësisht tendencës për të qenë mistik e ta lë artin e tij të flasë, në hapjen e ekspozitës ‘Ateleja e piktorit të panjohur’, Berisha nuk mundi t’i shpëtojë lëvdatave e komplimenteve të njerëzve që e vlerësuan lart artin e tij, e veçanërisht pikturat e ekspozuara në hapësirat e GKK-së.

Nëpërmjet kësaj ekspozite, ai ftoi publikun të ndjekë rrugëtimin e mendimeve të tij të pavetëdijshme dhe të ngjashme, duke e çuar audiencën në një udhëtim të paparashikueshëm emocional.

Genc Kadriu është artist bashkëkohor i cili aktualisht jeton dhe vepron mes Prishtinës dhe Tiranës. Praktika ndërdisiplinore e Kadriut karakterizohet nga përplasja e hapësirës së brendshme personale me realitetin shoqëror. Kultura materiale, trashëgimia kolektive, historia natyrore, ritualet spirituale dhe kujtimet janë disa nga veçoritë që rishfaqen nëpër veprat e Kadriut perms grumbullimeve skulpturore dhe instalacioneve museologjike. Nëpërmjet hulumtimeve ndërdisiplinore dhe eksperimentimeve të aplikuara, vepra e Kadriut e ndjek dialektikën e të kundërtave, ndërvarësinë ontologjike të realitetit dhe një logjikë ndërveprimi midis rastësisë dhe qëllimshmërisë.

Ndërkaq, ekspozita ‘Atelieja e piktorit të panjohur’ do të jetë e hapur deri më 12 nëntor 2023./KultPlus.com

Të ngjajshme