Autostrada Biennale prezanton datat dhe qytetet për edicionin e tretë

23 Dhjetor, 2020 - 1:40 pm

Nuk ka qenë një vit i lehtë për shumë prej nesh. Megjithatë, arti na jep shpresë dhe strukturim për të ardhmen.

Autostrada Biennale ka ndarë disa fakte të rëndësishme për edicionin e tretë, të cilin organizatorët po e përgatisin intensivisht, së bashku me dy kuratorët Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza.

Edicioni i ardhshëm nuk do të shtyhet dhe do të zhvillohet pavarësisht dhe brenda rrethanave aktuale, në tre qytete: Prizren, Prishtinë dhe Pejë. Prizreni do të mbetet bërthama e Bienales, ndërsa instalime dhe ndërhyrje shtesë do të ndodhin edhe në Prishtinë dhe Pejë.

Datat për edicionin e tretë të Autostrada Biennale janë: 17 korrik – 11 shtator 2021.

Autostrada Biennale filloi nga vendlindja e saj, Prizreni, në vitin 2014 (edicioni i parë në 2017) themeluar nga një ndjenjë e mungesës dhe nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe për hapje ndaj botës. Ajo u formësua si një pikë lidhëse dhe si një rrugë në hartën e Ballkanit Perëndimor.

Pandemia ka bërë që të rimendohet modeli i bienales dhe për këtë ata janë shumë entuziastë për t’i zgjeruar aktivitetet në tre qytete, duke punuar kështu edhe më tej me identitetin e tyre: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur.

“Edicioni i ardhshëm i Autostrada Biennale do të bazohet në një model infrastrukture, formë të “takimit të verbër” midis interesave, dëshirave dhe shpresave paralele” shkruajnë Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza. “Ne shpresojmë t’a përforcojmë rolin e bienales përmes ndërtimit të një infrastrukture të butë në Kosovë, duke mbështetur kështu komunitetin si dhe solidaritetin translokal në kohë të izolimit të dyfishtë.”

Edicioni i ardhshëm i Autostrada Biennale do të paraqitet në formë analoge dhe digjitale të infrastrukturës së butë, me art, performanca, pjesë bisedash, lexime, skulptura dhe forma të tjera të artit dhe jetës në verën e 2021.

Autostrada Biennale edicioni i tretë dhe i gjithë programi Pre-Biennale është duke u përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Prishtinë, Fondacioni Europian për Kulturë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme