Autostrada Biennale sjell Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano me “Lule Mosmëharro” edhe në Prishtinë

27 Maj, 2021 - 2:21 pm

Autostrada Biennale, në edicionin e saj të tretë, bashkë me edicionin e 5-të të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Manifesta 14 Prishtina, do të sjellin për publikun kosovar ekspozitën e famshme “Lule Mosmëharro 2020 – 2021” nga Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano, ekspozitë që do të hapet më 30 qershor, kurse për publikun e gjerë do të jetë e hapur prej 1 korrikut deri më 11 shtator të këtij viti, shkruan KultPlus.

Lule Mosmëharro është një instalacion lulesh gjigande të krijuara nga pëlhura që do të prezantohen nën kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ndërtesë kjo arkivore e kujtesës dhe dijes kolektive.

Krahas bukurisë së tyre madhështore, secila lule veçmas në këtë instalacion – qoftë boshtra, farat e palmës, luleqershija, luleftoi, ose karanfili – ngërthejnë në vetvete një domethënie si për historitë personale, gjithashtu edhe për lidhjën e të dy artistëve me njëri tjetrin. Këto lule gjithashtu shërbejnë si përkufizues të potencialit që kujtesa personale mbartë më vete për ta rishkruar gradualisht kujtesën kolektive. Lulet e prezantuara mishërojnë format e dashurisë, dëshirat seksuale, intimitetin, lidhjet, dhe identitetin, në përgjithësi, e sidomos të atyreve që janë vazhdimisht të lënë, e të lëna anash, apo të shtypur, e të shtypura nga politikat dhe normat regresive të krijuara nga shoqëria.

“Këto lule po i sjellim në Prishtinë për të festuar moskonformizmin, një nxitje për një vizion për ndryshim, një ftesë për të ëndërruar, një thirrje për diversitet.” Kanë thënë Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano.

Kurse kuratorët e edicionit të tretë Autostrada Bienale Joanna Ëarsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu.

Lule Mosmëharro kanë thënë se arti i thërret dëshirës për transformim të thellë në shoqëri, dhe mundëson aty krijimin e lidhjeve mes pikëpamjeve të ndryshme.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që po prezantojmë instalacionin e Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbanos, një instalacion që me një ndjeshmëri të veçantë u jepë dëshirave dhe nevojave të njeriut një formë poetike e plotë imagjinatë”, kanë thënë ata.

Lule Mosmëharro poashtu e mbështetë kampanjën qytetare për të drejta të barabarta në Kosovë, veçanërisht për komunitetin LGBTQI+, fushatë kjo që kërkon nga hartuesit e Kodit të ri Civil të përfshijnë aty të drejtën e martesës mes personave të gjinive të njëjta, si dhe mes personave të gjinive joheteronormative, duke fuqizuar kësisoj fushatën me bukuri lulesh – që tanimë është bërë edhe imazhi i kësaj kauze.

Lulet e Halilajt dhe Urbanos do të hapen me 30 qershor, 2021, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, një ndërtesë me nëntëdhjetë e nëntë kupola përmes së cilave hedhet dritë dielli mbi një arkitekturë mahnitëse ku gërshetohen stili tradicional me shprehjen moderniste.

Petrit Halilaj ka lindur në Kostërrc, në vitin 1986, ndërsa u rrit në mes të Italisë e Kosovës. Alvaro Urbano ka lindur në vitin 1983 në Madrid, Spanjë.

Dy artistët të cilët janë edhe çift mes vete, jetojnë e veprojnë në Berlin. Përmes pikëpamjeve të formuar nga lidhja e tyre, Halilaj dhe Urbano viteve të fundit kanë krijuar mjedise, situata e performanca që trajtojnë temat e bashkëjetesës, e gjithashtu kanë trajtuar ndërveprimet që ndodhin mes mjedisit natyror dhe atij të ndërtuar. Lulet paraprakisht kanë qenë të eksponuara në Pallatin e Kristaltë në Museo de Reina Sofia në Madrid (2020), në Art Quadriennale në Romë (2020), si dhe në Berghain në Berlin (2020), ku artistët u takuan për herë të parë para shumë vitesh.

Lule Mosmëharro e Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbanos dhe Sunfloëer Fields e Anges Denes janë dy projektet publike të cilat Edicioni i 3-të i Autostrada Biennale i sjellë në bashkëpunim me Manifesta 14 Prishtina.

Lule Mosmëharro e Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbanos dhe Sunfloëer Fields e Anges Denespërkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

Autorësia fotografike: Petrit Halilaj & Alvaro Urbano, 2 dhjetor 2015 (Farat e palmës), 10 maj 2016 (Qershia), 5 shtator 2017 (Karafil), 2020, Courtesy: artistët, ChertLüdde, Berlin; kamel mennour, Paris; Travesia Cuatro, Madrid. Prodhuar nga: Museo Nacional Centro de Arte Reina Sofia, fotografia: ImagenSubliminal./ KultPlus.com

Të ngjajshme