“Back to Black”, koleksioni i ri i disenjatores Artinë Ahmeti shpalos një elegancë autentike

31 Korrik, 2023 - 1:00 pm

Jeta Zymberi

Në një botë mode që ndryshon me shpejtësi, disenjatorja Artinë Ahmeti ka sjellë një frymë të re në këtë stinë të nxehtë vere, nëpërmjet koleksionit të saj të ri të fustaneve elegantë titulluar “Back to Black”. Ky koleksion e thekson thelbin e elegancës së thjeshtë dhe autentike, duke ofruar kreacione të dizajnuara me një shikim të qetë në pamje të parë, por që fshehin thesaret e detajeve të punuara me punim dore, të cilat i japin fustaneve një bukuri të veçantë, shkruan KultPlus.

Qëndresa ndaj autenticitetit dhe inspirimit është pikërisht ajo që bën këtë koleksion të veçantë. Ahmeti e ka shfrytëzuar me mjeshtëri këtë koncept, duke krijuar fustane që shënojnë një epokë të mirëfilltë e të qëndrueshme në modën e veshjeve elegante. Thjeshtësia e fustaneve është kthyer në një forcë të madhe, duke lejuar secilën grua të ndjehet e sigurtë dhe e sofistikuar në kohën e saj.

Çdo fustan është një vepër arti, me detaje të veçanta që shpërfaqin talentin dhe pasionin e disenjatores Ahmeti për modën. Kombinimi i formave të thjeshta me elemente unike të punuara me dorë, dhe zgjedhja e ngjyrës së zezë, janë disa nga elementet kyçe që e bëjnë këtë koleksion të jashtëzakonshëm.

“Koleksioni “Back to Black” ka fustane të dizajnuara me një thjeshtësi në pamje të parë, por që kanë detaje të punuara me punim dore të cilat e kompletojnë pamjen, por patjetër kemi dashur që ta ruajmë autencitetin e inspirimit të linjës që çdo grua duhet të ketë një fustan elegant, të thjeshtë, që do t’i mbijetoj ndryshimit të trendit dhe që mund ta përdor në çdo rast”, është shprehur disenjatorja Artinë Ahmeti për KultPlus.

Njëra nga tiparet kryesore të koleksionit “Back to Black” është që këto fustane mund të përdoren në raste të ndryshme sepse qëndrueshmëria e tyre ishte qëllimi kryesorë i disenjatores e cila ka arritur të krijojë një koleksion të gjallë dhe të përshtatshëm për shijet e shumë grave, duke u bërë një zgjidhje e sigurtë për to. Për KultpLus, ajo ka shpalosur edhe veçantitë e tjera të këtyre kreacioneve.

“Materialet e përdorura janë gomat me një kualitet super të mirë, dhe po ashtu detajet të punuara të gjitha me dorë, me gurë dhe kristale. Një element të veçantë që e kemi përdorur në këtë koleksion janë format e ndryshme në prerje dhe dizajnim, dhe po ashtu korsetat e fshehura të cilët janë të vendosur në çdo fustan por që fustani në pamje të parë duket pa prerje”, shprehet disenjatorja.

Në këtë koleksion, Ahmeti ka bërë një hap tjetër drejt vërtetësisë dhe elegancës së kohëve të kaluara, duke iu kujtuar të gjithëve se një stil i thjeshtë, por i sofistikuar, nuk njihet kurrë si demode. Koleksioni “Back to Black” është një manifest i fuqisë së kohës së patundur të modës së veshjeve elegante dhe një frymëzim i vërtetë për të përjetuar elegancën nëpërmjet thjeshtësisë.

Ahmeti na ka treguar se moda është një mënyrë për të shprehur identitetin, individualitetin dhe për të shënuar kohën me një veshje unike dhe të bukur. Duke na sjell “Back to Black”, ajo na inkurajon të vazhdojmë të eksplorojmë elegancën autentike dhe të shijojmë kohën duke mbajtur një stil që do të vazhdojë të konsiderohet klasik dhe modern njëkohësisht.

Krejt për fund ajo ka zbuluar se bashkë me ekipin e saj janë duke punuar në disa projekte njëkohësisht, dhe shumë shpejtë do të vijmë me koleksione të reja dhe risi në botën e modës. / KultPlus.com

Të ngjajshme