“Before and After the War”, ekspozita e Hazir Rekës do të prezantohet në Gjermani

17 Tetor, 2023 - 1:33 pm

Fotografi i njohur Hazir Reka do të prezantohet me ekspozitë personale në Gjermani, përkatësisht në Schloss Holte -Stukenbtock, shkruan KultPlus. Ekspozita do të hapet më 28 tetor, në ora 17:00 në Galerinë e këtij qyteti, e që për nikoqir ka tri organizata që edhe kanë punuar për realizimin e këtij projekti.

Zelije Kryeziu Ramadani ka thënë për KultPlus se kjo ekspozitë është projekt i Grupit të Grave Shqiptare “Shqiponja”, në bashkëpunim me dy shoqata gjermane: “Flüchtlingshilfe ” dhe “Demokrati leben”, ku edhe fokus i këtij organizimi është prezantimi i kulturës shqiptare.

“Është mbrëmje që i dedikohet kulturës shqiptare, por me fokus kryesor në ekspozitën e Hazir Rekës, ku ka për qëllim që audienca gjermane të njihet për së afërmi me vuajtjet e popullit të Kosovës, sidomos me përjetimet në luftën e fundit në Kosovës”, ka thënë Kryeziu Ramadani, e cila është shprehur të jetë e lumtur që ka arrit të realizojë këtë projekt të mbështetur nga Kuvendi Komunal i qytetit të Schloss Holte -Stukenbtock, për faktin që kultura shqiptare do të prezantohet para audiencës gjermane por edhe para nacionaliteteve të tjera, pasi që, sipas Kryeziut Ramadanit në këtë pjesë jetojnë mbi 20 nacionalitete.

“Duke pas parasysh se edhe në këtë kohë kemi vende ku po përballen me luftë, qëllimi i kësaj ekspozite është që të rinjtë të shohin se luftërat sjellin vetëm konflikte dhe pasoja të mëdha. Andaj, në vend të konfliktit të sjellim paqe. Në vend të urrejtjes të mbjellim dashuri, besim dhe bashkëjetesë”, ka thënë Kryeziu Ramadani.

Ndërkohë, në këtë mbrëmje dedikuar kulturës shqiptare do të prezantohet edhe kuzhina shqiptare, mbrëmje që do të përcillet edhe me muzikë nga Ramadan Kryeziu./ KultPlus.com

Të ngjajshme