Bizneset kreative ekspozitë për promovimin e trashëgimisë kulturore

28 Shtator, 2021 - 9:03 pm

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore dhe të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë, Muzeu Historik kombëtar dhe Nxitja e Biznesit Social, Agjenci pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë çelën sot ekspozitën me temë: “Biznese kreative që ruajnë trashëgiminë kulturore”, e cila ka si synim të trajtojë gjithpërfshirjen e bizneseve kreative në trashëgiminë kulturore.

Në fjalën e tij hapëse drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dr. Dorian Koçi, u shpreh se “në një shoqëri demokratike ka rëndësi barazia dhe krijimi i shanseve të barabarta për të gjitha bizneset kreative. Në këtë aspekt Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i memories kombëtare në vend ndër vite ka zhvilluar një sërë aktivitetesh, të cilat kanë synuar në sensibilizimin e opinionit publik për gjithpërfshirjen e bizneseve kreative në trashëgiminë kulturore”.

E pranishme në hapjen e ekspozitës ministrja e Kulturës, Elva Margariti vuri theksin në mesazhin e fuqishëm që ky aktivitet mbart në vetvete duke ekspozuar më së miri potencialin e fuqishëm të bizneseve kreative me bazë trashëgiminë kulturore dhe shpërfaqjen e të bukurës shqiptare, e cila është në vetvete pjesë e pandashme e kulturës evropiane.

Drejtoresha e Agjencisë “Nxitja e Biznesit Social”, Ulpiana Hysaj, parashtroi tek të pranishmit përmbajtjen e kësaj ekspozite ku marrin pjesë gjashtë biznese kreative, të cilët nëpërmjet punëve të ekspozuara promovojnë trashëgiminë kulturore nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Për dy ditë me radhë do të ekspozohen motivet dhe vlerat më të spikatura të trashëgimisë të rijetëzuara në punime artistike, prodhime kreative, inovacione në aksesorë të punuar me minerale dhe shumëllojshmëri nga shkëmbinjtë e maleve shqiptare, endje në tezgjah, produkte të ricikluara, motive nga sixhadet, piktura kreative në format të vogël, duke shprehur larmishmërinë e pasur të kostumeve popullore shqiptare, si edhe duke përcjellë kështu vlerat tona kombëtare./Kultplus.com

Të fundit

Të ngjajshme