Eliza Hoxha për fotografitë që iu ndaluan në kufirin serb: Nuk janë të sajuara, janë realitet

30 Maj, 2018 - 11:09 am

Gili Hoxhaj

Sot në Beogradi nisë edicioni i pestë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Pjesëmarrësit nga Kosova janë ndalur në kufi në një kontroll të detajuar për rreth gati 2 orë ndërsa tri fotografi të Eliza Hoxhës me pamje nga protestat e viteve te 90’ janë ndalur në kufi.

Fotografitë që paraqesin flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, janë ndalur në kufi dhe ato fotografi nuk do të mund të jenë pjesë e ekspozitës që Eliza Hoxha do ta hapë në kuadër të këtij festivali.

“Në momentin kur e kanë marrë çantën me katalog i kanë parë fotografitë aty filloi tronditja dhe ideja se çfarë ka në punime. Unë i tregova që janë të njëjtat dhe Insistuan që t’i kontrollojnë fotografitë, ata halë në sy e patën fotografinë ku shihet një afishe me mbishkrimin UCK dhe tjetra që shihet me një pankartë me vargun e Ali Podrimës. Dhe e treta punimi që e kam punuar për dhjetëvjetorin e pavarësisë që është loja midis dy flamurëve e që përcillet me këngën Himni im”, ka thënë për KultPlus, Eliza Hoxha, pas ndaljes së fotografive në kufirin serb.

“Nuk është që kam ndonjë pritshmëri, unë fillimisht e kamë pyetur Kushtrimin a e dinë se çfarë ka kjo ekspozitë që do ta dërgosh në Beograd. Un them se këto fotografi nuk janë të sajuara, por është realiteti me të cilin duhet të ballafaqohemi pas 20 vitesh”, ka theksuar Hoxha.

KultPlus, është atje për të ndjekur këtë festival i cili po mbahet për herë të pestë këtë vit. Ndërkaq, janë paralajmëruar protesta për ndalimin e këtij festivali nga partia SRS dhe disa parti të tjera që u janë bashkangjitur atyre me arsyetimin se ky festival po e paraqet Kosovën shtet të pavarur.

Rikujtojmë se vitin e kaluar ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, nuk është lejuar të marrë pjesë në këtë festival pavarësisht lejes së hyrjes në Serbi që e kishte. Ndërsa pjesëmarrësit janë përballur përgjatë 4 ditëve me protesta të njëpasnjëshme nga ana e serbëve.
Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com

Të ngjajshme