Burim Mytfiu përcjellë shkrepjen e një fotoje me një shkrim unik

18 Dhjetor, 2021 - 11:32 am

Shkruan Burim Myftiu

Ishte vjeshtë e hershme, një nga ato mbrëmjet me shi. Isha në tramvajin numër 23 duke udhëtuar nga Duomo për në hotelin tim. Në një çast edhe shiu filloi të bie me rrebesh. Në çdo stacion të tramvajit ca zbrisnin dhe të tjerët hipnin. Prej që ishte përplot, udhëtarët qëndronin në kembë. Unë isha i ulur dhe mbaja kokën kërrusur i thelluar në mendime dhe duke numëruar ditët e mbetura në Milano, në këtë qytet mahnitës. Në një çast e ngrita shikimin lartë. Një nënë e re, me një vajzë të vogël qëndronin përpara meje. Ishin kthyer me shpinë. Ajo me një dorë e mbante vajzën dhe me dorën tjetër mbahej vetë. E kishte të veshur një nga ato palltot e errëta me kapelë. Në një çast ajo u kthye nga unë. Nga këndet e kapelës pikonin dromcat e shiut. Një pamje si e murgeshave, pamje si nga ikonat mesjetare, e çuditshme dhe anakronike për një nënë të re. Brenda, filloi të bëhej zapullimë. Në një nga ndaljet e tramvajit ajo u kthye dhe e hapi pallton. Unë u befasova nga pamja. Përfundi palltos, në gjirin e nënës ishte duke fjetur një foshnjë. Nga drita e dobët mezi dukej vetëm gjysma e fytyrës së foshnjes. Nuk i besoja dot syve. I ngrirë me pamjen dhe me njëmijë pyetje të heshtura: “Ç’është kjo? Çfarë po ndodh? Nëna me foshnjen e vogël, tramvaj, natë, shi, veshja, pamja, qetësia e saj…!Prej nga erdhën?!Ku po shkojnë?! Nëna me foshnjen! një pamje ikonike, biblike, dhe aq hyjnore, njëjtë sikurse edhe mijëra vite më parë. Nuk kisha përgjigje! Isha magjepsur me pamjen! Pas një çasti fillova të mendoj. Më duhet të regjistroj këtë moment. Kamerën e kisha në xhep. Por si ta bëj? Më zuri paniku. Si ta bëj? Sikurse do fotografoja herën e parë në jetë! Në mes të kësaj dileme tramvaji u ndal, ata zbritën dhe u tretën me turmën në errësirë. Unë akoma isha i hutuar dhe nuk mund të besoja. Ajo pamje nuk mund të përshkruhej me fjalë. Pas ca minuta zbrita edhe unë për të pritur tramvajin e ardhshëm, për të vazhduar udhëtimin. Shiu ishte ndalur. Tramvaji numër 9 arriti me vonesë. Ishte një nga ato të vjetra, që akoma ishin në qarkullim. Unë kërceva brenda dhe u ula. Ndriçimi ishte shumë i dobët. I mbështetur në gjunjë, i thelluar në mendime dhe duke akuzuar vehten se si nuk arrita të përjetësoj atë moment. Kur e ngita kokën, nuk mund të besoja syve. Nëna me foshnjën dhe vajzën e vogël ishin të ulur përballë! E pamundur! E pabesueshme! Nuk mund të jetë! Isha aq i shqetësuar saqë fillova të rrënqethem! Por edhe një lloj gëzimi ndieja. Nuk mund të pritja më! Me zë të ulët dhe respekt u drejtova: “Më falni zonjë! Ju,…foshnja,…vajza juaj e vogël,…familja,… është një mrekulli, … ëëë,… jam fotograf dhe nëse më lejoni të ju fotografoj? Ajo vetëm e tundi kokën në shenjë aprovimi dhe sikurse ishte e pregaditur për këtë çast! Brenda sekondash bëra disa fotografi dhe duke u falenderuar me dy pëllëmbë të bashkuara si në lindje, zbrita. Ecja në kahje të hotelit duke mos patur përgjigje në ato njëmijë pyetje në mendjen time! Nëpër mendje më kalonin me mijëra Madona nga librat, galerite, muzeumet. Madona? Madona! Si është e mundur?! Si mund t’i ndodh kjo një njeriu aq pak religjioz si unë? “Deja Vu”, sikurse edhe mijëra vite më parë, “Madona”, …këtë herë në tramvaj! /KultPlus.com

May be a black-and-white image of 1 person and sitting
FOTO: Burim Myftiu

Të ngjajshme