Debati mbi gratë artiste shpalosë një fakt shokues, koleksioni i GKK me 1000 vepra, vetëm 14 nga gratë

26 Janar, 2019 - 5:00 pm

Alberina Haxhijaj

British Council dhe Galeria Kombëtare kanë filluar sot programin e debatit dhe edukimit i cili zhvillohet në kuadër të ekspozitës “Perceptime: Burrneshat”. Ky program filloi sot përmes një debati në të cilin mori pjesë artistja Alketa Xhafa- Mripa dhe gazetarja Jeta Xharra. Ato vunë në pah ndikim që ka arti si protestë kundër shtypjes.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani u shpreh se është shumë e rëndësishme që të marrin reagime nga publiku i cili do të merr pjesë gjatë këtij muaji por edhe gjatë muajit shkurt në programin e debatit dhe diskutimit, por edhe përmes vizitave të ekspozitës “Perception: Burrneshat”. Agani u shpreh se përmes këtyre diskutimeve do të mundohen që të gjejnë përgjigje rreth pyetjeve se ku janë gratë artiste dhe çfarë janë duke bërë ato.

“Ka ardhur koha që ne të bëhemi të zëshme, pasi që nga 1 mijë vepra sa ka koleksioni i Galerisë vetëm 14-të vepra të realizuar nga gratë janë pjesë e këtij koleksioni e ku shumica prej tyre janë të dhuruara. Pra, as ky koleksion të cilin e kemi nuk e prezanton gjendjen dhe situatën ashtu siç është. Do të ishte dashur që një koleksion i veçantë për Galerinë të kurohej dhe të kërkoheshin ato vepra të cilat ja vlen që të jenë pjesë e tij dhe që e paraqesin artin në Kosovë”, theksoi ajo.

Në anën tjetër Milan Lucic nga British Council u shpreh se ka qenë shumë e rëndësishme krijimi i kësaj ekspozitë në Prishtinë por edhe në pesë vende të tjerave ku janë hapur ekspozita të tilla si në Cetinje, Novi Sad, Banja Luka dhe Shkup.

“Për ne, përveç shfaqjes së punëve të artisteve britanike por edhe të atyre lokale ka qenë shumë e rëndësishme gjithashtu që edhe të trajtojmë një çështje të rëndësishme e që është barazia gjinore. Kjo temë nuk prek vetëm Ballkanin Perëndimor, pasi që është globale dhe është e qartë që kjo çështje nuk është diskutuar sa duhet dhe këto koleksione kanë qenë një pasqyrë e kësaj”, u shpreh ai duke theksuar se për çështjen e barazisë gjinore duhet diskutuar edhe në aspektin e artit.

Koleksioni i British Council i cili është 80-të vite i vjetër ka shërbyer si bazë për të realizuar këto ekspozitat në pesë vende të ndryshme si dhe për ngjallur pikërisht në këto vende edhe diskutime mbi përfaqësimin e grave në art. Menaxherja e koleksionit në British Council, Nicola Heald u shpreh se edhe koleksioni i tyre nuk është se ka shumë vepra të grave duke marrë parasysh tërësinë e veprave, mirëpo sipas saj,  mbetet për të bërë më shumë në këtë drejtim.

“Britsh Council mund të themi se ka qenë fajtor që ka realizuar ekspozita të cilat kanë ekspozuar kryesisht punën e artistëve burra dhe ky bashkëpunim me shumë partner ka qenë një fillim i mirë për të diskutuar dhe për të sjellë para publikut edhe këtu në Ballkanin Perëndimor punën e artisteve gra”, theksoi ajo.

Aktiviteti i radhës do të jetë ‘’Kafe me artisten Zake Prelvukaj”, më 29 janar duke filluar nga ora 10:30 në Galerinë Kombëtare./ KultPlus.com

Të ngjajshme