Ditët e Mios, kolonia e piktorëve mbledh mbi 50 artistë nga vendi dhe bota

27 Tetor, 2023 - 11:47 pm

Kolonia ndërkombëtare e arteve figurative “Ditët e Mios” në vitin e 13-të të organizimit të saj, ka sjellë në Korçë piktorë nga 15 vende të botës.

Mbi 50 piktorë vendas dhe të huaj të frymëzuar nga Korça dhe stili unik i piktorit të madh Vangjush Mio, do të hedhin në telajo punime me tematika të ndryshme. Jeff Roland një prej pjesëmarrësve të këtij edicioni e ka gjetur frymëzimin e tij tek ndërtesat dhe jeta e qytetit të Korçës

“Vij nga Franca dhe është hera ime e parë në Korçë. Dje vizituam shtëpinë e Mios piktor i njohur dhe isha shumë i lumtur të zbuloja pikturat e tij dhe atmosferën.  Nuk e njihja Korçën por është padyshim e bukur.  Më frymëzuan ngjyrat, atmosfera jeta këtu. Piktura ime është zakonisht në universe imagjinare ndaj do të përpiqem të ndërthur pak nga atmosfera e Korçës dhe disa ndërtesa në sfond ndërsa ajo që kam vënë re është që njerëzit këtu duken të lumtur, ka diell ndaj kjo është shumë interesante”, u shpreh një i huaj.

Për 3 ditë radhazi piktorët pjesëmarrës të kolonisë do të hedhin në telajo elementë të peizazhit të Korçës, arkitekturës dhe jetës duke sjellë individualitetin e tyre por edhe vende që kanë qenë frymëzuese për piktorin Vangjush Mio./TopChannel/KultPlus.com

Të ngjajshme