Durrësi që po harrohet në ekspozitën e piktores Emjona Stasi

13 Maj, 2021 - 5:28 pm

Nga Gëzim Kabashi

103 tablotë e piktores Emjona Stasi, që janë ekspozuar këto ditë në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” kanë gjetur vëmendjen dhe interesimin e ardashësve durrsakë.

Të punuara që të gjitha në gjininë e peisazhit, tablotë e Stasit i bashkon dashuria për qytetin e saj.

Rrugicat, muret mesjetare, porta e Kalasë, kanatat e dyerve të hershme, kolonat me kapitele mbi krye, dhe gjithçka që e lidh piktoren me Durrësin janë objekti i penelit të saj.

Brenda ekspozitës Emjona Stasi i rikthehet me shumë sukses temave të preferuara, duke shfrytëzuar talentin në grafikë.

55 punimet-miniaturë në gjininë e grafikës e risjellin qendrën historike të Durrësit, sikur të ishin kartolina nga qyteti që mund të udhëtojnë në të gjithë globin.

Shqetësimi për peisazhet e Durrësit, që po humbasin ndën hijen e shumëkatësheve, i jep më shumë vlerë pikturës së Emjona Stasit, e cila këtë herë i ka kushtuar një ekspozitë të plotë ruajtjes së identitetit të qytetit.

Kujdesi për ekspozimin e tablove në grupe të veçanta, sipas gjinive dhe vendeve që e kanë frymëzuar, i japin një tjetër vlerë ekspozitës së Emjona Stasit, që do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit maj.

Emjona Stasi, një piktore në profesion të lirë

“Të paktën kështu e ndjej vehten që kur kam dalë në pension – thotë artistja në një intervistë.

“Jam me fat që kam një profesion të tillë. Tani më pëlqen të punoj çdo ditë dhe kam mbështetjen e bashkëshortit tim, inxhinjer ndërtimi. Xhoxhi e kupton lehtë punën time dhe gëzon njëlloj me mua për një tablo të bukur-vijon piktorja Emjona Stasi, e cila ditët e fundit ka hapur ekspozitën e saj të gjashte personale.

Emjona ka përfunduar studimet për Grafikë, dhe megjithëse e ka zgjedhur vetë degën, shprehet se në tablotë e saj ka mbetur shumë pak nga pasioni i parë.

“Ja, thuajse në asnjë punë unë nuk përdor ngjyrën e grafistëve, të zezën – thotë ajo duke u drejtuar nga tablotë. “Më pëlqen peisazhi, pasi jam romantike; por ndjehem mirë edhe me natyrën e qetë, ndërsa duhet të provoj më shumë kompozimin – thotë piktorja, e cila ka paraqitur në ekspozitën e fundit në Durrës 77 tablo të përmasave të vogla e të mesme, pjesa më e madhe punime të viteve të fundit.

Emjona ka lindur në Elbasan, por duke qeshur thotë: “nuk e di se nga jam”.

I jati oficer në atë kohë ka lëvizur bashkë me familjen, deri sa janë vendosur në Durrës. Një edukatore kopështi në Elbasan i ka këshilluar prindët që ta çojnë vajzën e vogël në Lice.

“Dega e pikturës në shkollën e mesme “Jordan Misja” fillonte vetëm në ciklin e mesëm, por fjalët e edukatores mu ngulitën – shprehet sinqerisht Emjona, e cila nisi ti shohë ndryshe lodrat me plastelinë apo vizatimet e para. Më vonë Sul Sulovari në Elbasan e Agim Shami në Durrës do të drejtojnë pasionin e vajzës së re drejt pikturës.

Mësuesja e artistëve të rinj

Në një qoshe të galerisë “Nikolet Vasia” një mësues i ri bisedon me nxënësit-piktorë të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” mbi karakteristikat piktorike të autores Stasi.

Piktorja vlerëson mësuesit e pasionuar, si dhe nxënësit që mbajnë në duar dosjet e vizatimeve edhe jashtë shkollës.

“Megjithatë, më duket se kanë mbetur pak -shton ajo, duke kujtuar kohën kur në degën e sapohapur të arteve figurative në shkollën artistike të Durrësit gjeti disa nga piktorët më të mirë të qytetit.

“Do të punoja si mësuese shumë vite përkrah piktorëve Skënder Kokobobo, Nikolet Vasia e Gavril Priftuli – thotë Emjona, e cila deri në vitin 1984 kishte dhënë lëndën e vizatimit në shkollat 8-vjeçare.

Emjona Stasi ka dalë në pension thuajse 7 vjet më parë, por askush nga ata që e sheh nuk e beson këtë.

Elegante në lëvizje, mjaft e qetë dhe e sigurtë në punën e saj, ajo e ka marrë njoftimin e pensionit, ndërsa përgatiste një nga ekspozitat e saj.

“Më erdhi keq, pasi ishte janar dhe i ndërpreva leksionet me nxënësit në mesin e vitit shkollor, por me sa duket këto janë regullat – nënvizon piktorja, duke kujtuar se kolegët kanë ardhur ta urojnë për pensionin në galerinë ku u hap ekspozita.

Ekspozita nga atdheu deri në SHBA

Mustafa Arapi, Gazmend Leka, Buron Kaceli janë piktorët e parapëlqyer të Emjona Stasit, pa harruar Lumturi Blloshmin, piktoren inteligjente, siç e quan ajo. E më pas edhe zonja të tjera të skulpturës si Mira Kuçuku apo Llambrini Dënaj.

Por Emjona vetë ka vendosur shumë vonë të hapë një ekspozitë personale.

Që nga viti 1977 ajo ka marrë pjesë thuajse në 50 ekspozita kolektive në qytete të ndryshme të vendit tonë, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe SHBA.

“Është një mundësi për tu njohur dhe ballafaquar me kolegët, të cilët sjellin shumëllojshmëri stilesh – thotë Emjona, duke kujtuar edhe përvojat në kolonitë artistike, të organizuara në qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Sipas saj, janë eksperiance shumë të mira, por organizatorët nuk duhet të abuzojnë dhe ta quajnë një mundësi tregu – shton ajo.

Emjonës nuk i pëlqen që të marrë diçka që nuk e meriton. Ajo ka refuzuar çdo ndërhyrje që mund ti jepte një çmim të lartë në konkurset e organizuara, duke iu gëzuar vetëm vlerësimeve të sinqerta. Në këtë pikë ajo ndjen se artistët duhet të jenë më të drejtpërdrejtë në opinionet për krijimtarinë e njeri – tjetrit.

“Kjo do të na ndihmonte të gjithëve – shprehet çiltazi piktorja. Më pëlqen të kem një përvojë të tillë në SHBA, atje ku kam pasur rast të hap edhe një ekspozitë me 25 punime.

“Ishte e thjeshtë, aplikova në një bibliotekë – librari dhe fitova të drejtën që përveç pjesmarrjes në ekspozita grupi të hap edhe një personale, me punët e përgatitura gjatë qëndrimit atje-kujton Emjona.

Emjona Stasi që nga viti 1977 ka marrë pjesë në afro 50 ekspozita të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, ndërsa punimet e saj i gjen përveç fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe asaj të Durrësit ndodhen edhe në arkiva private në Itali, Maqedoni, Greqi, Gjermani, Hollandë, Kanada dhe SHBA.

Mësuese dhe studente

Ndërsa në galeri vizitorët ia lenë vendin njeri-tjetrit, bisedojmë së bashku për hapat e parë në pikturë, për nxënësit e saj, por edhe për vendimet e marra vetëm me një fjali, përballë pedagogëve të saj në Lice dhe Institutin e Arteve, të cilët Emjona vazhdon ti quajë “profesorë”, si në shkollë.

“Për të hapur një ekspozitë nuk duhet vetëm aftësi, por edhe një çikë inat” i ka thënë Emjonës 10 vjet më parë Thoma Thomai. Profesori i skulpturës u bë shkak për ekspozitën e parë të saj, e cila u hap në galerinë private “Jozef”.

Megjithëse e konsideron vehten “natyrë të tërhequr”, artistja nga Durrësi i ka marrë vendimet për jetën me një fjali. Kështu e ka bindur pedagogen e skulptures Valentina Balli në Lice për pasionin që kishte për pikturën, e po kështu me fjalët “dua ta meritoj shkollën e lartë” i është drejtuar prof. Naxhi Bakallit para se të hynte në Institutin e Lartëtë Arteve (sot Universiteti i Arteve).

Të njejtën gjë ka bërë edhe kur ka parapëlqyer Durrësin, në vend të kryeqytetit menjëherë pas studimeve të larta.

Ja se si shkruan për të Suzana Varvarica Kuka, studiuese e artit:

“Emjona Stasi trashëgon dashurinë për natyrën, për botën, si banesa jonë e madhe; adhurimin për ngjyrat, dhe vullnetin për dëshmi figurative. Ajo mban një qëndrim të ri komunikimi me rrënjët tona të artit të fillim shëk. XX, gjë e cila më jep entuziasmin ta quaj “Mio-niana e Durrësit”. / KultPlus.com

Të ngjajshme