займ на карту онлайн потребительский кредит

Dy artistë sjellin një Donald Trump që ngacmon në Prizren (FOTO)

Gusht 25, 2017 - 4:52 pm

Arbër Selmani

Një lider si Donald Trump, nëse deri sot nuk ka shërbyer për asgjë, së paku për një numër artistësh është inspirim për krijim veprash arti.

Fytyra e tij krenare është vendosur në Prizren, në qendër të qytetit. Siç thotë koncepti artistik i veprës, vepra është vendosur në qytetin e bukur të Prizrenit, ku puthen tri ideologjitë: modernizmi, minarja që u shkatërrua në vitin 1963 me pretekstin se po e dëmtonte modernizimin e Prizrenit dhe të gjeturat arkeologjike të periudhës romake.

“Think Big” është fotografi e grupit artistik OPA – Obsessive Possessive Aggression, e cila është pjesë e bienales Autrostrada Biennale e cila ka nisur para disa ditësh në Prizren. OPA përbëhet nga Slobodanka Stevceska dhe Denis Saraginovski, dy artistë që kanë studiuar në Shkup dhe punojnë së bashku në inspirimin e tyre artistik.

Monumenti i ri në Prizren, me fytyrën e Trump, si në gur kufitar që shënon kufirin e tri ideologjive që përmendëm më lartë, gjendet saktësisht në vendin ku kanë ekzistuar portrete të bronzit që përkujtonin heronjtë e Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha ato janë zhdukur.

“Për neve, Donald Trump është një imazh i njëjtë si Nikola Gruevski. Kuptohet, më i fuqishëm. Duke e vënë portreti e Trump në vendin e monumentit të braktisur, duam të theksojmë momentin e lindjes së idiokracisë. Ai është vendosur në një lokacion ku dikur ishte një simbol i betejës anti-fashiste. Duke pasur në mendje deklaratat e fundit të Trump, monumenti kthehet në vend të konfliktit dhe paralajmërimit” tregojnë artistët për KultPlus.

OPA reagojnë ndaj zhvillimeve me anë të narratives artistike. Projektet specifike artistike, ndërhyrjet si ky në Prizren, ekspozitat, mockumentaries, videot, dokumentarët televizivë janë në mesin e mediumeve që ata përdorin për të reaguar.

Ata kanë ekspozuar në Estoni, Kroaci, Gjermani, Francë, Holandë e në Shtete të Bashkuara të Amerikës.
“Me këtë punë tonën, qyteti tani ka simbole edhe të kristianizmit edhe të islamit. Duke e pasur parasysh se të dyja religjionet janë përmendur disa herë në fjalimet e Trump-it por edhe janë përdorur si justifikim për konflikte e luftëra, puna merr edhe një tjetër dimension” tregojnë artistët.

Ardhja e tyre në Prizren dhe në Autrostrada Biennale duket se përbën një moment të rëndësishëm në karrierën e tyre artistike, shkruan KultPlus.

“Na pëlqen kompleksiteti i Autostrada Biennale. Nuk është vetëm një ekspozitë, por një hapësirë për edukim dhe një vend ku qytetarët e Prizrenit mund të shohin më shumë art. Për regjionin në përgjithësi është e rëndësishme një Bienale e tillë” tregojnë artistët, puna e të cilëve po qëndron e ekspozuar në Prizren. / KultPlus.com

Fotografitë nga: Tuğhan Anıt

Të ngjajshme