Dy dekada pas ekspozitës “Përtej” në Beograd, sa kanë arritur ngjarjet kulturore të shkojnë përtej diskursit politik mes Kosovës e Serbisë

29 Qershor, 2018 - 2:30 pm

Gili Hoxhaj

Kanë kaluar plot dy dekada që nga koha kur artistët kosovarë, dy vite para se të shpërthente lufta në Kosovë, kishin paraqitur artin e tyre në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Ekspozita “Përtej” me kurator Shkëlzen Maliqi, në verën e vitit 1997 kishte përmbledhur vepra të artit bashkëkohor nga Kosova, ku përfshihen piktura dhe instalacione nga Sokol Beqiri, Mehmet Behluli, Masksut Vezgishi dhe një instalacion muzikor nga Ilir Bajri.

Si aspak të lehtë e përshkruan këtë vendim Shkëlzen Maliqi, në zyrën e Fondacionit Soros në Prishtinë e cila po mbështeste financiarisht atë, me dyshime disa ia kishin drejtuar pyetjen “A e keni menduar mirë se çka po bëni dhe ku po shkoni?”. Maliqi tregon se këtë problem nuk e kishin dhe artistët, ata i brengoste vetëm hapësira se si do të dukeshin veprat e tyre aty.

“Tekembramja, arti ynë dhe e shënjestron ndërgjegjen e Beogradit”, ishte përgjigja kyçe e artistëve.

Dy dekada më pas, Shkëlzen Malqin e ndajnë vetëm një javë që nga ndalimi në kufirin e Mërdares, pa arritur të jetë pjesëmarrës në një diskutim që kishte për qëllim pikërisht bashkëpunimin kulturor. Njëzetë vite pas ekspozitës “Përtej”, Eliza Hoxha kalon kufirin Kosovë-Serbi me ekspozitën e përgjysmuar, pasi që tri fotografi i ndalohen në kufirin serb. Edhe ekspozita “Përtej”, ishte pritur pozitivisht në mesin e qarqeve artistike në Beograd, ndërsa mediat e kontrolluara nga regjimi në Serbi e shihnin si provokim, e në Kosovë kjo ekspozitë sulmohej nga kritikët të cilët argumentonin se artistët kosovarë që po i ekspozojnë punimet e tyre në Beograd po i mundësojnë Serbisë të përdorë justifikime për qëndrimin e tyre se situata në Kosovë është normale.

Disa nga të pranishmit e ekspozitës “Përtej” në Beograd, kishin shpresuar se ekspozita të tilla do të shndërrohen në traditë të bashkëpunimit dhe kontakteve më të thella.

“Emri i kësaj ekspozite tregon se kjo i ka tejkaluar pritjet tona që i kemi pasur për këto punime. Kjo ekspozitë po na jep një këndvështrim të ri. Mendoj se skena jugosllave ka qenë për një kohë të gjatë e privuar nga ekspozita të tilla, shpresoj që në të ardhmen do të ketë edhe ekspozita të tjera të tilla, të cilat intonojnë një të ardhme homogjene e artistike që në skenën jugosllave dhe evropiane kanë munguar”, shprehet njëri nga pjesëmarrësit.

“Përshtypja e parë kur hyra këtu qe ajo se ekspozita ishte e mrekullueshme, përndryshe në këtë hapësirë nuk është e lehtë të bësh ekspozitë”, shprehet një tjetër i pranishëm në videoincizimin që u shfaq mbrëmë, e i parapriu diskutimit. Një bashkëpunim i tillë do të mundësonte një urë komunikimi mes dy shtetesh”, ishin përshtypjet e një pjesëmarrësi tjetër.

Me rrëfimin e Shkëlzen Maliqit e Borka Pavicevic lidhur me ekspozitën e 97-ës, nis edhe libri “Rasti i Studimit Përtej”, i cili ngërthen një kronologji të ngjarjeve kryesore politike që kanë ndikuar në të dy shtetet, një kronologji kulturore e bashkëpunimeve të ndryshme që kanë ndodhur në mes kulturës së pavarur dhe botës së artit në të dyja shoqëritë, si dhe fragmente të intervistave me disa figura kyçe, ndërsa përmes fotografive edhe i vizualizon këto ngjarje e momente. Publikimi i këtij libri është pjesë e projektit “Përtej/Beyond/Preko 20 Vite” që është një bashkëpunim në mes Kosovo 2.0 dhe Center for Cultural Decontamination (CZKD).

Mbrëmë në Qendrën “Multimedia”, Kosovo 2.0 solli diskutimin se a kanë kontribuar këto bashkëpunime në ndërrim të diskursit të përgjithshëm në të dyja shoqëritë dhe sa kanë arritur ngjarjet kulturore të shkojnë përtej diskutimeve të marrëdhënieve politike në mes të dy shteteve.

Ky diskutim u moderuar nga kryeredaktorja e Kosovo 2.0, Besa Luci dhe fotografja Majlinda Hoxha ndërsa në panel diskutuan Shkëlzen Maliqi – filozof, kritik i artit dhe kurator i Përtej ’97, Borka Pavicevic – dramaturge, aktiviste kulturor dhe drejtoreshë e CZKD-së, Aleksandar Pavlovic – studiues dhe hulumtues i marrëdhënieve serbo-shqiptare, Jeton Neziraj – dramaturg dhe drejtor i Qendrës Multimedia dhe Lura Limani – kryeredaktore e Prishtina Insight.

Filozofi dhe kuratori i ekspozitës “Përtej ‘97”, derisa foli për ekspozitën theksoi se në atë kohë kjo ekspozitë në Kosovë ishte cilësuar si një bashkëpunim me “armikun”, ndërsa shtoi se kjo ekspozitë e ka afirmuar skenën e Kosovës pasi që ajo u prezantua më vonë edhe në vende të tjera.

“Ka tri vite që me Borken kemi biseduar, kemi bashkëpunuar shumë këto 10 vitet e fundit po ky ka qenë një nga projektet më të rëndësishme për skenën bashkëkohore në Kosovë. “Përtej” është njëfarë shifre se po e bëjmë një ekspozitë në Beograd në kushtet më të vështira të mundshme. Kur kemi shkuar në Beograd, shumica e kanë pritur një ekspozitë si në kohë të Jugosllavisë, me shumë si një lloj zhurme folklorike, nuk e kanë pasur idenë që në Kosovë mund të ndodhë diçka e tillë”, u shpreh Maliqi në fjalën e tij, duke kujtuar edhe momentin kur u pengua ta kaloi kufirin serb pa asnjë arsyetim, ndërsa shtoi se qysh para dy dekadash me ekspozitën “Përtej”, e kishin krijuar një moment utopik kinse është kapërcyer ai moment historik dhe kanë kaluar në një të ardhme ku ekziston paqja, edhe pse nuk kanë mundur t’i ikin krejtësisht realitetit të vrazhdë.

Borka Pavicevic, dramaturge, aktiviste kulturore dhe drejtoreshë e CZKD-s, atmosferën e ekspozitës së artistëve kosovarë e përshkruan si një prej atyre ngjarjeve ku atmosfera është nën sipërfaqe, e padukshme në fillim, që është lloji më i tensionuar dhe emocionues i një nisme: kur jo shumë zbulohet dhe madhështia është e heshtur.

“Historianët e artit Jovan Despotiviq dhe Dejan Sretenoviq po silleshin në oborrin e CZKD-së ndërsa unë, mikpritësja, isha shumë e zemëruar sepse nuk kishim asnjë gazetar, asnjë konferencë për shtyp, gjithçka ishte e minimizuar, e qetë, një mungesë para diçka-je të madhe. Unë nuk e kuptoja në fillim dhe synimi ishte të parandalohej një reagim paraprak dhe më vonë të shkaktohej një “skandal”, që ishte përsëritur dhe do të përsëritej me vite të tëra, para dhe pas ky ishte “provokim”, ose një ngjarje kulturore dhe artistike që ishte synuar qysh në gjenezë, kur ishte quajtur “temë e ndjeshme””, shkruhet në monografinë Rasti i Studimit “Përtej”.

Pavicevic tutje shkruan se “Përtej” ishte ekspozita e parë që ishte krijuar nën “çelësat” e përfaqësimit, por nga një përzgjedhje e lirë artistike e Shkëlzen Maliqit. Ekspozita u prodhua nga Dodona, një qendër kulturore dhe teatër në Prishtinë.

“Hapja e ekspozitës ishte festive dhe e lavdishme. Kishte plot njerëz- ishte ngjarje e jashtëzakonshme artistike dhe politike”, kështu e përshkruan Pavicevic hapjen e ekspozitës.

Aleksandar Pavlovic, studiues dhe hulumtues i marrëdhënieve serbo-shqiptare, thotë se kanë kaluar 20 vite nga kjo ekspozitë bashkëkohore kurse sot pyetja kryesore që duhet të shtrohet është nëse gjërat kanë ndryshuar.

“Është diçka komorative për këtë situatë, kjo ka qenë ekspozitë e artit bashkëkohorë para 20 vitesh, ndërsa tani pyetja shtrohet nëse gjërat kanë ndryshuar. Nuk jam i sigurt se mund të matim dëmin e shkaktuar nga një politikan i caktuar, një dron, apo një shqiponjë, apo një tren. Dëmet e tilla nuk mund të zhbëhen për 10 vjet. Nuk mendoj se është detyra jonë që të ndryshojmë gjithçka. Mendoj se gjëja më e mirë është që njerëz si Jetoni apo Borka kanë krijuar hapësira të caktuara kulturore të cilat mund të zgjerojnë audiencë të caktuar dhe kjo është për t’u vlerësuar”, ka thënë Pavlovic gjatë fjalës së tij.

Dramaturgu Jeton Neziraj mbrëmë tha se pasi që ka parë videon e ekspozitës dhe pas dëgjimit të shpjegimit të Shkëlzen Maliqit, për mënyrën e perceptimit të atij bashkëpunimi, tha se i është krijuar përshtypja se mënyra e perceptimit të këtij bashkëpunimi deri më sot nuk ka edhe shumë dallime dhe akoma ekziston termi i “tradhtarit”. Ai u shpreh se kohëve të fundit po shihet një lloj përpjekje politike për ta penguar këtë lloj bashkëpunimi ndërsa Qendra për Dekontaminim Kulturor në Beograd mund të cilësohet si Ambasadë Kulturore e Republikës së Kosovës në Beograd.

“Bashkëpunimi i cili është parë me entuziazëm dhe është promovuar prej skenës kulturore të pavarur në mes dy vendeve, ka filluar të ngushtohet, këtu e marr edhe shembullin e Teatrit “Bitef”, deri në një far periudhe ka qenë një hapësirë të cilën ne edhe “Mirëdita, dobar dan” e ka cilësuar si një lloj hapësire ku i ka prezantuar shfaqjet, në 2015 këto mundësi janë limituar dhe interesi prej disa artistëve dhe institucioneve kulturore atje është reduktuar dhe Qendra për Dekontaminim Kulturor ka mbetur si një lloj oaze gati e vetme e bashkëpunimit. Ndoshta kjo lidhet me zhvillimet politike, një klimë e re e cila këtë lloj bashkëpunimi jo që nuk e favorizon se nuk e ka favorizuar kurrë por edhe e pengon, kjo bazuar edhe në faktin se këtë vit ndodhën dy incidente të orkestruara dhe të miratuara politikisht”, u shpreh Neziraj në fjalën e tij.

Krejt në fund të këtij diskutimi, Lura Limani, kryeredaktore në Prishtina Insight u shpreh se arti dhe diskursi politik nuk duhet të shfaqet si i reduktuar përkundër rezistencë pasi që vet arti është konflikt dhe ajo çfarë ndodhë në skenën politike veç shtrihet në një sferë tjetër./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme