Dy personazhe karakteristike të qytezës së bukur të Janjevës, shkrepur nga Arben Llapashtica

3 Nëntor, 2018 - 9:55 pm

Gili Hoxhaj

Janjeva është qyteza që të rrëmben në çdo shtëpi e ndërtesë, derisa të fton të zhytesh në gjurmët e lashtësisë derisa ndodhesh pranë shtëpive që qëndrojnë buzë rrënimit. Kjo qytezë ndodhet në Kosovën Juglindore, afër Lipjanit ndërsa sipas gjetjeve arkeologjike, konsiderohet se Janjeva është lokalitet mjaft i lashtë, madje në dokumentet e shkruara, përmendet për herë të parë në vitin 1303.

Ani pse shihet dukshëm se popullsia nuk është shumë e madhe, e numri i ndërtesave të zbrazura nuk është dhe i vogël, edhe banorët që kanë mbetur aty dëshmojnë se numri i i njerëzve po pakësohet. Dinamika e jetës në rrugët e pjerrëta, e në oborret e shtëpive flet për një harmoni me qetësinë e jetës në këtë vend, ani pse qartë duket se kushtet e banorëve kanë nevojë për përmirësim. Megjthatë, pamja e ndërtesave të braktisura e buzë rrënimit duket se qëndron më së miri e veshur në ngjyrat vjeshtore. Karakteristikë e kësaj qyteze është edhe Kisha e Shën Kollit në Janjevë, e cila pas një udhëtimi të pjerrët është si ftesë për ndalesë.

Aty bie fort në sy një ndërtesë që mban dritaret e kornizuara me ngjyrë të kaltër që qëndrojnë në muret e bardha e të rjepura. Pikërisht kjo ndërsa ndanë rrugën për tek kisha dhje ngjitjen drejt shtëpisë së lindjes së Shtjefën Gjeçovit. Në një të shtunë gjasat janë shumë të mëdha ta takosh Jana Geçeviq, kroaten që jeton për një kohë të gjatë në Janjevë.

E ulur në një skaj të ndërtesës, ajo këtu po kalon ditët e pleqërisë nën përditshmërinë e ritmit të jetës. Derisa tymos një cigare, buzëqeshja i jep kahje më të zgjeruar rrudhave të saj që ia formësojnë një shprehje të çiltër fytyre. Njërën dorë e vendos mbi gjurin e majtë e me dorën tjetër mbanë cigaren, ndërsa kokën e ka të mbuluar me një shami shumëngjyrëshe.

Këto imazhe vijnë të qarta e tejet pasqyruese nga fotografi i njohur Arben Llapashtica, i cili përmes fotografive arrin të memorizoj në mendjet e shumëkujt edhe imazhe të njerëzve që rrallë kush i njeh, e rrallë kush mund t’i harroj shprehjet e tyre të fytyrës. Syrit artistik të Llapashticës nuk i ka shpëtuar as Fron Gashi i cili vjen nga fshati Peshteri, Brus e që jeton në Janjevë.

Me mjekrën gjysmë të thinjur, bien në sy opinga e shalli me të cilin mbulon kokën, e veshur mban një kostum ngjyrë hiri. Derisa ecën, ai mbahet prej shkopit të tij, e as derisa ecën e as kur ulët buzë rrugës për të pushuar, fytyra e tij nuk humb gjallërinë e buzëqeshjes.

Gashi kujton me nostalgji jetën dhe dinamikën që dikur e ka karakterizuar këtë qytezë, tani pothuajse të braktisur.

Janjeva, ndryshe njihet edhe si vendlindja e njërit nga figurat më të njohura shqiptare Shtjefën Gjeçovi, i cili ishte veprimtar i shquar i lëvizjes atdhetare, etnograf, arkeolog dhe shkrimtar shqiptar, ndërsa vepra e tij kryesore është Kanuni i Lekë Dukagjinit, e cila është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar. / KultPlus.com

Të ngjajshme