Egzon Feka me çmim nderi për projektin e muzeut të Frank Lloyd Wright në New York

4 Tetor, 2018 - 4:32 pm

Egzon Feka nga Vushtrria, ishte një ndër shumë studentë të tjerë të arkitekturës që solli në shtëpi një tjetër çmim të rëndësishëm arkitekturor, kësaj radhe nga Amerika.

Ishte kompeticioni i “Guggenheim Museum Competition” i cili këtë vit u mbajt në New York nga ku Feka u kthye me çmim nderi, për projektin e modifikimit të muzeut ekzistues të Frank Lloyd Wright, së bashku me dy bashkëpunuesit e tij Ryo Kawamoto dhe Hanif Adi Ramadhan, të tre studentë të Politecnico di Milanos, në Milano, Itali.

Ndërtimi.info ka kontaktuar atë për të mësuar më shumë rreth eksperiencës dhe projektit të tyre, dhe si e sfiduan ata arkitekturën e Frank Lloyd Wright.

I pyetur se sa ka qenë e vështirë pjesëmarrja në këtë garë prestigjioze, ai thotë se nuk ka qenë e lehtë, dhe nuk e kishin menduar se do të dalin fitues:

“Duke pasur parasysh se në edicionin e parë të kësaj gare kanë garuar më shumë se 1,700 projekte, filluam me bindjen që ta japim më të mirën nga vetja, ta provojmë fatin dhe nuk menduam shumë për rezultatet. Por, me shpalljen e rezultateve pamë që kemi marrë çmim nderi nga ky kompeticion. Ishte një befasi e këndshme, pasi që nuk kemi pritur diçka të tillë”, shprehet Feka për Ndërtimi.info.

Duke folur rreth garës, Feka ka shpjeguar qëllimin e saj dhe kushtet e pjesëmarrjes:

“Kompeticioni ka qenë i hapur për çdo arkitekt dhe student të arkitekturës. Kushti i vetëm ka qenë që ekipet të përbëhen nga maksimum 3 anëtarë. Guggenheim Museum është një kompeticion i cili është duke u organizuar për të dytin vit me radhë dhe çdo vit ajo çka ndryshon është lokacioni i muzeut, pasi që “Guggenheim Museums” është një grup i muzeve në Amerikë, Europë, Lindje të Mesme e kështu me radhë. Vitin e kaluar është organizuar për muzeun Guggenheim në Helsinki, Finlandë kurse këtë vit për muzeun Guggenheim në New York, SHBA. Gjithsesi, ky vit ka qenë i veçantë pasi që arkitekt i muzeut Guggenheim në New York është Frank Lloyd Wright, një nga mjeshtërit më të mëdhenj të arkitekturës, dhe ta sfidosh muzeun e tij vërtet kërkon shumë guxim dhe punë”, tregon Feka.

Për momentin ai është duke punuar për garën “EVOLO Skyscraper Competition” e cila është një nga shtatë garat më të mëdha të arkitekturës sipas Archdaily, ndërsa planet e tij për të ardhmen përfshijnë përfundimin e studimeve të doktoraturës në Gjermani.

Ky nuk ka qenë çmimi i parë për Egzon Fekën, ngase jashtë fushës së arkitekturës, në garën për fotografinë më të bukur të realizuar “myhomeatpolimi”në Politecnico di Milano, ka marrë vendin e dytë.

Të ngjajshme