Artistët e rinj prezantojnë pikturat në Muzeun Kombëtar të Kosovës

13 Nëntor, 2019 - 2:44 pm

Në mjediset e Muzeut Kombëtar të Kosovës, të martën u hap ekspozita “Dekonstruksion”, e kuruar nga piktorja Majlinda Kelmendi.

Kjo ekspozitë përmban veprat e studentëve dhe të diplomuarve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Ekspozita paraqet krahasimin dhe kontrastimin e ideve bashkëkohore dhe shembujve historikë, duke bërë një rikthim në kohë. Artistët dhe studentët e artit janë në gjendje të shohin se si idetë evoluojnë dhe si e kaluara informon tendencat e ditëve të sotme me ide të reja, shkruan rtv21.tv  

Kuratorja e ekspozitës, Majlinda Kelmendi, u shpreh e lumtur për punën e studentëve të saj. Theksoi se ekspozita paraqet të gjithë procesin e ngritjes profesionale të këtyre artistëve.

“Me fjalën dhe me titullin “Dekonstruksion” e ekspozitës kam dashur të them që të kthejmë kokën mbrapa tek ajo që është ë bukur, e bërthamës, e traditës sonë  por sigurisht duke e sjellur ne kohë. Ne jemi pjesë e këtyre viteve e këtij shekulli dhe sigurisht ne do të moderohemi dhe do të ecim me kohën, por asnjëherë nuk duhet ta harrojmë atë që kemi në bërthamë. Punët të cilat janë këtu janë menduar gjatë prej këtyre artisteve, ne kemi komunikuar gjatë gjithë kohës, kemi ardhur tek ideja, tek hulumtimi dhe pastaj deri tek realizimi i këtyre veprave. Unë jap lëndën e pikturës konceputale dhe së bashku me ta kemi punuar prej dy vjetëve për këtë qëllim, për realizimin e kësaj ekspozite”, tha Kelmendi.

Për punën e studentëve dhe dëshirën e madhe të Kelmendit për realizimin e ekspozitës, fjalë të mira patën edhe disa nga profesorët e Fakultetit të Arteve, Xhevdet Pantina e Agnes Nokshiqi.

“Faktikisht , arti konceptual vet me krijimin e kësaj dege në Fakultetin e Arteve po e dëshmon vazhdimisht punën e tyre, sidomos profesoresha Majlindë që më ngulm dhe arriti t’i paraqes vlerat e studenteve dhe me të vërtet është një punë vuliminoze që unë do të them tamam që jem krah jo vetëm ndaj shteteve të rajonit, por edhe shteteve evropiane sa i përket punës profesionale të studentëve, por edhe nivelit te tyre akademik dhe artistik, është gjë që duhet vlerësua jashtëzakonisht shumë”, tha Pantina.

Ndërkaq Nokshiqi tha se “Më së pari po shihet që është punë që e bën me përkushtim, dhe kur i sheh punimet është shumë interesante. Mënyra qysh jonë të punuara dhe secili e ka qasjen e vet edhe atë artin që don me shpreh në secilin punim. Edhe tepër bukur po duket. Unë jam tepër e kënaqur dhe shumë krenare që në kemi këtë kuadër dhe studentë në fakultet”.

Secila nga këto vepra interesante përmbante një mbishkrim përshkrues rreth temës së trajtuar.

Artistët e ekspozitës janë: Rea Latifi, Agnesa Eshrefi, Endrita Ibishi, Art Terstena, Ema Isaku, Enkela Maxhuni, Drilon Haxhijaj, Endrit Jashanica, Abetare Syla, Ardhmerie Bregovina, Diore Buzhala, Erza Kryeziu, Fikrete Misini dhe Kybra Alemdar. Ekspozita “Dekonstruksion” e piktorëve të rinj të Fakultetit të Arteve, do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës deri më 17 nëntor./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme