EKSKLUZIVE: Në Vjenë do të ekspozohen fotografi dhe dokumente të papara të Aleksandër Moisiut

10 Mars, 2018 - 2:00 pm

Aleksandër Moisiu, i lindur në Shqipëri por që ishte larguar nga aty kur ishte 19-të vjeçar, arriti suksese në fushën e aktrimit në Vjenë, ku u angazhua në shumë role në teatër. Tani, 83 vite pas vdekjes së tij, Pjetër Logoreci do të sjellë fotografi dhe dokumente pikërisht në Vjenë, për të kujtuar aktorin, shkruan KultPlus.

Pjeter Logoreci ka mbledhur 44-të fotografi të masave 70×50 të aktorit Aleksandër Moisiu, fotografi të cilat do të ekspozohen në Vjenë në kuadër të fotoekspozitës: Aleksander Moisi, njeriu dhe artisti.

“Unë si studiues i tij kam mbledhur materiale të panjohura si fotografi dhe dokumente të tjera, të cilat janë fryt i kërkimeve të mija shumë vjeçare, kurse me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë do të hapi këtë fotoekspozitë”, tha kuratori Pjeter Logoreci, për KultPlus. Ai tutje tregoi se kjo fotoekspozitë do të jetë e lëvizshme pasi që ai do të mundohet që ta shfaq në të gjitha trevat shqiptare.

“Do e sjellë edhe në Kosovë. Kam menduar ta sjellë në Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë, mirëpo akoma nuk ka data të caktuar, besoj që së shpejti”, është shprehur ai. Fotoekspozita fillimisht do të hapet më 26 mars në ora 18:00, në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë. Ditë kjo që përkon me ditën e vdekjes së aktorit Moisiu.

Me rastin e Vitit të Kulturës Austri-Shqipëri janë duke u organizuar shumë aktivitete. Shqipëria por edhe Austria do të ofrojnë një numër të madh të aktiviteteve, këtë vit, të cilat përfshijnë ekspozita, koncerte, konferenca, shfaqje të filma, e të tjerë. Kjo ekspozitë është një prej tyre.

Moisiu sot adhurohet dhe respektohet sidomos në Shqipëri si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit, edhe pse ai që nga rinia e tij më nuk e vizitoi Shqipërinë. Shkolla e aktrimit në Tiranë, Universiteti i Durrësit, Shkolla e mesme e përgjithshme në Kavajë dhe teatri i Durrësit e mbajnë emrin e tij. Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes./KultPlus.com

Të ngjajshme