“Ekspo Art Tirana”, bën bashkë 24 artistë të arteve pamore

27 Shkurt, 2019 - 1:30 pm

Në mjedisin e Muzeut Historik Kombëtar “Ekspo Art Tirana”, hapi siparin në edicionin e saj të tretë.  Kjo ekspozitë ka bërë bashkë 24 artistë të arteve pamore, me punime në teknika të ndryshme, si  natyra të qeta, peizazhe, kompozime e vizatime.

Kjo ekspozitë vjen si një rrugëtim artistik, i cili shfaqet me dinjitet e profesionalizëm, duke u bërë një risi e jetës kulturore të kryeqytetin shqiptar në pasurimin e saj me vlera artistike.

Në ambientet e muzeut prezantohen rreth 70 vepra për publikun, të realizuara në teknika të ndryshme. Janë portrete, natyrë e qetë, peizazhi, kompozime. Janë të gjitha punë që prezantohen për herë të parë në ekspozitë dhe është shumëllojshmëri edhe si trajtim dhe si teknikë. Gjithashtu në këtë ekspozitë nuk mungojnë dhe vizatime në laps, kompozime, akuarele, pastel dhe punimet në skulpturë janë në dru dhe në bronz.

Punët në ekspozitën “Ekspo Art Tirana” janë realizuara nga Arben Brahimaj, Agron Mesi, Artan Kola, Albert Pina, Anteo Gremi, Erion Laro, Zaim Elezi, Ergys Demo, Edison Gjergo, Fatmir Dardha, Mali Pleshti, Foti Kllogjeri, Genti Proko, Gëzim Hysa, Ervis Kota, Gjergj Meta, Skënder Idrizi, Gëzim Zoto, Mikel Temo, Meri File, Leonard Lekaj, Leon Çika, Roland Runaj, Romeo Kallco.

Ekspozita do qëndroj e hapur për publikun në Muzeun Historik Kombëtar deri më datë 3 mars./A.T.SH/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme