займ на карту онлайн потребительский кредит

Ekspozita e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 hapet këtë javë

Nëntor 4, 2019 - 12:41 pm


Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka njoftuar për ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuele – YVAA (Young Visual Artists Aëards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Çmimin “Artistët e së nesërmes” 2019 e kanë marrë artistët: Somer Şpat, Edona Kryeziu, Dion Zeqiri. Ndërsa puna kuratoriale është realizuar nga Vala Osmani dhe Albert Heta.

Ekspozita do të hapet më datë 6 nëntor në ora 20:00 te Klubi i Boksit. Ndërsa fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 do të shpallet me 6 dhjetor 2019 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2019.

Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019, e përbërë nga Charles Esche, drejtor i Van Abbemuseum, Eindhoven, Qëndresë Deda – artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Adam Kleinman – Fondacionin Kadist Art, Sezgin Boynik – teoreticient dhe redaktor, Jelena Vesić – kuratore, shkrimtare, redaktore dhe ligjëruese, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019.

Somer Şpat është përzgjedhur në listën e ngushtë për projektin e tij të jashtëzakonshëm në lidhje me ngritjen dhe rënien e industrisë hekurudhore në Kosovë. Puna e tij tregon përpjekjet kolektive të modernizimit të Kosovës në kohën e Jugosllavisë si kontrast të tranzicionin shoqëror dhe mbetjet e strukturuarve të progresit industrial dhe si mbetjet e tyre janë të përfshira në jetën e përditshme kosovare, në një mënyrë të jashtëzakonshme.

Somer Şpat (1996, Prizren) ka përfunduar studimet bachelor në fotografi në Universitetin e Arteve të Bukura, Mimar Sinan. Interesimi i tij për artin filloi nga pasioni ndaj kinemasë që e shtyu atë të studionte fotografinë. Përmes studimit të fotografisë ai zhvilloi interes për artin bashkëkohor dhe gjeti mënyra eksperimentale të të menduarit dhe diskutimit rreth tij.

Somer nuk e konsideron veten të varur nga një medium specifik. Mediumi vjen përmes procesit të kërkimit të tij artistik. Me fjalë të tjera, përmes procesit, mediumi del dhe imponohet ndaj tij. Duke e perceptuar veten më shumë si një prodhues se sa krijues, ai përpiqet të ndërlikoj më tej çështjet e autorësisë në veprat e tij.

Punët e tij përqendrohen në çështje politike, si në kontekstin lokal ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Në mënyrë retroaktive, veprat e tij të artit përpiqen të shtjellojnë format të ndryshme dhe përfaqësim të dhunës shtetërore. Kjo dhunë mund të jetë imponim i imazheve nga shteti; ose shkatërrimi i infrastrukturës publike nga pronat private.
Ai i konsideron studimet arkivore si pjesë shumë të rëndësishme të produksionit të tij. Pasi kaloi kohë në arkiva për të gjetur materiale për projektin e tij “hekurudhor” në vazhdim, Somer zbuloi portretet e punëtorëve vullnetarë që ndërtuan linjat hekurudhore, dhe ky zbulim ndryshoi drejtimin e punës së tij dhe i dha asaj një tjetër ritëm.

Edona Kryeziu (1994) ka lindur në një qytet të vogël gjerman afër kufirit francez. Ajo pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe adoleshencës e kaloi në Koln, Gjermani. Atje, ajo u rrit në mesin e njerëzve të tjerë, prindërit e të cilëve nuk ishin nga Gjermania.

Vizita në një shkollë të mesme që ishte kryesisht gjermane dhe e krishterë, e bëri atë të mendojë për gjendjen e migrantëve, narracionin e famshëm ‘përplasje kulturore’, ndarjen urbane, privilegjin dhe pabarazinë. Në moshën 18 vjeç, ajo kaloi një vit në periferi të Buenos Aires, Argjentinë, ku punoi me qendrat e komunitetit lokal për të mbështetur të margjinalizuarit. Ishte aty ku ajo mësoi të vinte në pikëpyetje statusin quo, e cila e shtyu atë fillimisht drejt studimit të Shkencave Shoqnore në Maastricht dhe Universitetin e Stambollit, e pastaj Antropologjinë e Migracionit dhe Diasporën në Universitetin SOAS në Londër.

Përveç akademisë, Edona ka njohuri në teatër, aktrim dhe shkrim të skenarit, dhe i pëlqen të eksperimentojë me mediume të ndryshme si montazh filmi, fotografi, instalimet për të vënë në dyshim normalitetin.

Qëllimi i punës së saj është të ekspozojë ndjenjat e zhvendosjes, ambivalencës së brendshme, vetë-mohimit dhe strategjive të mbijetesës që vijnë së bashku kur je subjekt diaspore. Prandaj, ajo përdorë ndjenjat dhe mjedisin e saj personal si një burim për të vënë në pah natyrën e një identiteti të fragmentuar. Çdo vepër arti kontribuon në krijimin e një hapësire të tretë si një pikë qartë e shprehjes së saj, minoritetet në Gjermani dhe gjithë diasporën, të cilës mund të flasë puna e saj. Kjo është një ndërhyrje dhe krijim i diçkaje të re, të rrënjosur në pikëllim, hutim, zemërim dhe shpresë. Vetë procesi i krijimit të artit për të është rrugëtimi drejt shpërbërjes së ‘Tjetërsisë’ në ‘Vetveten’ e saj.

Dion Zeqiri (1996) ka përfunduar studimet bachelor në dizajn enterier në Universitetin e Prishtinës (2018). Ai punon në një kompani të dizajnit si përpilues i projekteve kreative. Dion Zeqiri ka filluar të pikturoj në shkollën fillore, në stile të ndryshme.

Zeqiri punon me mediume të ndryshme si: instalacion, skulpturë, video dhe objekte të gatshme të gjetura, që në vazhdimësi kërkon të vë në pyetje ato objekte të gjetura për përkthimin e tyre në komunikim, që e vendosë gjuhën në shkallë shoqërore. Ekspozita e parë e Dion Zeqirit ishte ekspozita personale “Rumination” (2018) e mbajtur në “Hapësira Motrat”, Prishtinë, Kosovë.

Praktika e Dion Zeqirit është pikënisje e përvojës së tij personale. Ai ka punuar për të fuqizuar subjektet që përfshijnë emocione aktuale apo kushte fizike, duke hapur interpretime të reja rreth rrethanave dhe dukurive.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York, mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në Neë York.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë në një ekspozitë të përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë.

Qëllimi i çmimit “Artistët e së nesërmes”, i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Qëllimi i Kryetarit Havel, organizatorëve dhe themeluesve të Çmimeve YVAA ishte të shpërblejnë artistët e rinj me një rezidencë artistike në SHBA, dhe për t’i ekspozuar ata në botën jashtë vendeve të tyre dhe për të theksuar rolin e kulturës në demokratizimin e shoqërisë dhe rolin e kulturës në shoqërinë civile. Ata themeluan një garë transparente dhe të hapur vjetore, që vlerësohej nga juritë e pavarura dhe që ndërroheshin, pa nepotizëm dhe favorizim. Ky mision themelues dhe kjo kornizë programore, për të përkrahur artin bashkëkohor, për të njohur dhe shpërblyer ekselencën artistike, për të ngjizur shkëmbimin kulturor dhe për të ndërtuar kapacitetin e institucioneve të pavarura të artit dhe shoqërisë civile, janë edhe udhërrëfyes për Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizmin e çmimit “Artistët e së nesërmes”.

Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u angazhua si organizator i programit YVAA dhe nikoqir i programit rezidencial në Nju Jork. Në shtator të vitit 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë është ftuar për të marrë përsipër organizmin dhe udhëheqjen e çmimit “Artistët e së nesërmes” në Kosovë, duke filluar me edicionin e parë të vitit 2016.

Në vitin 2017, Bordi i the Trust for Mutual Understanding aprovoj kërkesën e Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë që çmimi “Artistët e së nesërmes” të kthehet në program që organizohet çdo vit në Kosovë. Në vitin 2014 organizatorët e programit YVAA kishin vendosur që çmimi Artistët e së nesërmes të organizohet çdo të dytin vit.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rrisë potencialin dhe ndikimin e çmimit “Artistët e së nesërmes” në zhvillimit e gjithmbarshme në artin bashkëkohor, në tërë territorin e Kosovës.


Çmimi “Artistët e së nesërmes” 2019 organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 janë: Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, Technomarket, x-print dhe DZG. / KultPlus.com

Të ngjajshme