Ekspozita fotografike “Mbro & Promovo”, si sensibilizim për trashëgiminë kulturore

11 Gusht, 2019 - 10:00 am

Ekspozita fotografike “Mbro & Promovo” u hap në Tiranë, qëllimi sensibilizimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulture.

Fotot e ekspozitës shëtitëse janë prezantuar për publikun në kangjellat e presidencës në Tiranë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun gjithë muajin gusht dhe më pas do të udhëtojë në qytetet e Shkodrës, Gjirokastrës dhe Beratit. Janë këto qytete që presin këtë ekspozitë, që vjen në edicionin e saj të tretë. Sipas organizatorëve, “Mbro & Promovo” është sllogani i kërkimit fotografik, që shpreh dhe komunikon identitetin shqiptar përmes perceptimit artistik të trashëgimisë kulturore nga të rinjtë, të cilët nëpërmjet fokusit të aparatit të tyre sjellin artistikisht në vëmendjen e publikut problematikat e ndryshme, që shoqërojnë identitetin tonë kulturor.

Fotografitë prezantohen për publikun pas një konkursi, që është zhvilluar më parë. Kurator arti, Andi Tepelena shprehet se ekspozita ka rëndësi sepse prezantohet para publikut në një moment kur po harrohen vlerat dhe po promovohen antivlerat kulturore. “Kjo ekspozitë vjen në një moment kur në këtë vend po promovohen kultura kitch, antivlerat kulturore, dhe kjo ekspozitë shërben si antipod”, shprehet Tepelena në fjalën e tij. Sipas kursorit të artit, Andi Tepelena, me pjesëmarrjen edhe të të rinjve kjo ekspozitë merr më shumë vlerë për trashëgiminë kulturore. “Përfshirja e të rinjve, premton vazhdimësinë e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare nga brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Duke shikuar nga e kaluara, të rinjtë do të ndërtojnë të ardhmen bazuar në vlerat shpirtërore kulturore, që kanë prodhuar shqiptarët ndër shekuj”, vijon Tepelena. Por përballë problemeve të shumta që ka sot trashëgimia jonë kulturore në vend, sipas kuratorit Andi Tepelena qëllimi është dhe nxitja e institucioneve për të bërë punën në mbrojtje të monumenteve të kulturës. “Sy dyti, rëndësi ka dhe tërheqja vëmendjes të këtyre monumenteve te vizitorët vendas dhe të huaj, nxit institucionet të bëjnë më mirë punën e tyre në një kohë, që ndeshemi me probleme të mëdha të ruajtjes, mirëmbajtjes dhe rijetëzimit të tyre”, shprehet Andi Tepelena, kurator arti.

Konkursi me fotografi

Konkursi “Mbro & Promovo” ka një karakter të veçantë artistik dhe ndërgjegjësues kryesisht tek të rinjtë, fokusimi i vëmendjes së tyre tek trashëgimia kulturore dhe natyrore e Shqipërisë, evidentimi i problematikave të ndryshme, promovimit dhe mbrojtjes së saj. “10 fotot finaliste të përzgjedhura nga juria janë pjesë e kësaj ekspozite shëtitëse nëpër Shqipëri, në hapësira publike të destinuara për publikun e gjerë, që ai të sensibilizohet më shumë me vlerat dhe bukuritë e Shqipërisë”, thuhet në materialin e ekspozitës. Fotot konkurruese në edicionin e tretë të “Mbro & Promovo” u seleksionuan dhe vlerësuan nga një juri profesionistësh e përbërë prej fotografes franceze Françine Carpon, Lejla Hadiç, drejtoreshë e Cultural Heritage Without Borders- Shqipëri, historiani Mesut Tufan ish drejtor i “SIPA Press” në New York dhe Paris, Ardian Isufi dekan i Arteve Figurative në Universitetin e Arteve Tiranë, Eliza Hoxha arkitekte, Arbër Kadia kurator, Blerina Berberi drejtoreshë e Ekphrasis Studio, Romain Bijard, Patrimoine sans Frontieres, arkitektja Irsida Bejo, si dhe Andi Tepelena drejtori i “Art Kontakt”. Konkursi dhe ekspozita “Mbro & Promovo” është një iniciativë e revistës “Art & Trashëgimi” dhe CHwB Shqipëri. Fotoja fituese e këtij edicioni i shkon studentit polak në arkeologji Michal Pisz: Sarda mesjetare shqiptare, ishulli i Shurdhahut, Vaut të Dejës. Michal Pisz, në kuadër të misionit arkeologjik franko-shqiptar në luginën e Drinit ka fotografuar gjurmë mesjetare në ishullin e Shurdhahut, është një ishull në lumin Drin, ku ndodhet qyteti mesjetar i Sardës, në liqenin artificial të Vaut të Dejës./Sot.com.al

Të ngjajshme